Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka uruar qytetarët me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës (Ilindenit), duke theksuar se kjo festë shtetërore përfaqëson jo vetëm kujtesën historike të luftës për liri, por edhe obligimin për të ndërtuar një shtet të drejtë, të barabartë dhe të suksesshëm.
Shasivari njoftoi se nesër do të marrë pjesë në shënimin qendror të festës në Meçkin Kamen, si pjesë e delegacionit shtetëror të udhëhequr nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, si dhe Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Në mesazhin e tij, ministri thekson se Ilindeni mbetet simbol i idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, vlera që sipas tij edhe sot duhet të jenë themeli i Republikës së Maqedonisë dhe i përkushtimit për një shoqëri ku çdo qytetar ndihet i barabartë dhe i respektuar.
Ai vuri në pah se forca e shtetit buron nga diversiteti i tij, duke nënvizuar se Republika e Maqedonisë është shtëpia e përbashkët e të gjithë qytetarëve dhe se zhvillimi i saj është rezultat i kontributit të të gjitha bashkësive.
Duke rikujtuar mesazhin e Manifestit të Krushevës për unitetin dhe bashkëjetesën, Shasivari bëri thirrje për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe solidaritet, duke theksuar se dallimet nuk ndajnë shoqërinë, por e pasurojnë atë.
“Si Ministër i Drejtësisë, besoj se patriotizmi i vërtetë dëshmohet përmes respektimit të sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe forcimit të besimit ndërmjet të gjitha bashkësive. Vetëm përmes dialogut dhe mundësive të barabarta mund të ndërtojmë një shtet të fortë, të qëndrueshëm dhe të suksesshëm për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm”, theksoi Shasivari në urimin e tij.
Në fund, ministri uroi të gjithë qytetarët me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, duke përcjellë mesazhin: “Rroftë uniteti, drejtësia dhe e ardhmja e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë!” (INA)



