Ministria e Drejtësisë në krye me ministrin e ri, Jeton Shasivarin, hesht ndaj pyetjeve gazetarske për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga funksionarët e partisë në pushtet VLEN, se do të ketë zgjidhje për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, deri më tani nuk ka përparim të dukshëm në këtë drejtim.
Portalb.mk kërkoi sqarime nga Ministria e Drejtësisë, e cila tani udhëhiqet nga ministri i ri shqiptar, Jeton Shasivari se ku ka mbetur kjo çështje dhe kur do të ketë zgjidhje, por përgjigje nuk morëm.
Jeton Shasivari, para se të ulet në kolltukun e ministrit, ishte profesor i juridikut në Universitetin e Evropës Juglindore, studentët e të cilit vazhdimisht kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Ministri paraprak, Igor Fillov insistonte se provimi nuk mund të jepej në gjuhën shqipe.
Ndërkaq kanë kaluar muaj që kur zëvendëskryeministri, Bekim Sali, u premtoi studentëve shqiptarë se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave. Ndërkohë, Sali premtimin e ka zhvendosur për në shtator të këtij viti.
Për shkak të zvarritjes së zbatimit të premtimeve që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Studentët shqiptarë, dje përsëri kanë dorëzuar kërkesë të re te institucionet, që krahas provimit të jurisprudencës, edhe provimet tjera profesionale të jepen në gjuhën shqipe.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.



