Vetëm ambasadorja e Gjermanisë iu përgjigj ftesës së kryetarit të Akademisë së Shkencave, Vllado Kambovski për të debatuar lidhur me periudhën pas zgjedhore dhe sfidat e Maqedonisë drejt integrimit në BE. Ambasadat e tjera të huaja kishin dërguar përfaqësues, por vetë ambasadorët nuk e kishin parë të udhës të vijnë në tryezën e rrumbullakët të ASHAM-it dhe Ministrisë së Jashtme. I pyetur nga gazetarët se përse po e bojkotojnë ambasadorët debatin dhe a ka kjo lidhje me fjalorin e ashpër që kryetari i VMRO DPMNE-së e përdori ndaj tyre, kryetari i ASHAM-it, Vllado Kambovski insistonte se ambasadorët e ftuar po vijnë.
“-Ne tani po debatojmë për çështje më të rëndësishme, se si pushteti i ardhshëm ekzekutiv duhet të drejtohet në zgjidhjen e këtyre çështjeve të rëndësishme…
Me kë do të debatoni zotëri Kambovski kur nuk ju erdhën mysafirët, ambasadorët?
-Si nuk na erdhën. Ja, këtu janë mysafirët. Ka përfaqësues të më shumë ambasadave”
Kambovski hezitoi të komentojë fjalorin përçmues të Nikolla Gruevskit ndaj ambasadorëve që ndihmojnë zgjidhjen e krizës politike. Komenti i tij i vetëm ishte se deklaratat e Gruevskit nuk ishin të menduara mirë…
“Deklarata e Nikolla Gruevskit është e pamenduar mirë. Po ta kishte dhënë ndonjë organ shtetëror, do ta kisha dënuar, por atë e ka dhënë si qëndrim partie dhe mua nuk më takon të dënoj qëndrime partish. Unë nuk e di se në çfarë mënyrë i ka thënë ato deklarata, a janë kundrejt individëve apo kundrejt vet procesit të integrimit. Mendoj se askush nuk do lëkundej nga rruga e integrimit, dhe çdo insistim për t’u larguar nga kjo rrugë do të ishte shkatërruese për cilëndo parti. Fundja, asnjë parti nuk u deklarua kundër këtyre vlerave”, ka thënë Vllado Kambovski, kryetar i ASHAM.
Kambovski tha se interesi i Maqedonisë nuk është një pronë private, por është pronë e shoqërisë dhe qytetarëve, e ata kanë interes për integrim në NATO dhe BE. Tryeza e rrumbullakët ishte e mbyllur për gazetarët edhe pse siç tha kryetari i Akademisë së Shkencave, ka për qëllim bisedat miqësore që do të nxjernin në sipërfaqe pritjet e shteteve të BE-së dhe NATO-s dhe vendeve të tjera për Maqedoninë në këtë periudhë paszgjedhore.