16 April
Çelja e luleve dhe temperaturat e paqëndrueshme shqetësojnë personat alergjik dhe ata me astmë. Mjekët nga Klinika e Pulmologjisë dhe Alergologjisë në Shkup thonë se nga viti në vit sa vjen e shtohet numri i personave të prekur nga alergjitë e pranverës, ndërkaq mosha më e prekur nga këto alergji janë të rinjtë. Sipas pulmologes Jagoda Stojkovic shkak për këtë është ndotja e lartë e ajrit dhe konsumimi i produkteve ushqimore jo të shëndetshme.
Ka numër të madh të pacientëve, madje viteve të fundit ai numër shënon rritje, në veçanti tek moshat e reja. Sigurisht që kjo vjen si rezultat i prezencës së tepërt të ndotësve të ajrit, para së gjithash grimcat PM si dhe gazrat e ndryshëm si ato të veturave. Përveç kësaj edhe ushqimin që konsumojmë është shkak I alergjive sepse përmbajnë shumë additive të cilat shpesh nuk zgjidhen për kualitetin e tyre por për shijen – tha Jagoda Stojkovic, Pulmologe.
Pulmologët thonë se ka mënyra dhe medikamente të cilat zbusin dukshëm alergjinë e polenit, ndërkaq shtojnë se vetë kontrolli nga disa ushqime të caktuara do ta lehtësonte edhe më shumë këtë gjendje.
Të gjendet mënyrë se si t’i shmangemi kontaktit me alergjenin, kjo do ishte mënyra më efikase për pacientët. Por sigurisht që terapia përmes medikamenteve është ajo që ndihmon. Ekzistojnë barëra të cilat e zbusin alergjinë. Aty ku kemi alergji të polenit nuk duhet konsumuar mjaltë, dredhëza, vezë, peshk, lajthi, arra, këto janë produktet që më së shpeshti ndikojnë tek alergjikët e polenit por nuk do të thotë se gjithë organizmat janë të njëjtë dhe prandaj ndikimi nuk është i njëjtë – theksoi Jagoda Stojkovic.
Alergjia e polenit manifestohet me teshtima, lotim të syve, probleme me fytin dhe hundën. Sipas mjekëve alergjitë e pranverës prekin moshat nga 5-60 vjeç, duke u bërë shqetësues në cilësinë e jetës së tyre gjatë kësaj stine të vitit.
Vjollca Aliti