22 August
Ka vazhduar edhe sot bartja e mbeturinave nga deponia e egër në Tetovë. Të njëjtat barten në Drislla të Shkupit, ndërsa nga ora 24:00 kamionët me mbeturina do të bartin për në Rusino të Gostivarit. Problematike edhe më tej vazhdojnë të mbeten vatrat e zjarrit, të cilat kohë pas kohe riaktivizohen dhe është e nevojshme që menjëherë të intervenojnë zjarrfikësit që të mund të vazhdojë bartja ashtu siç duhet. Pastrimi i deponisë sipas autoriteteve do të zgjasë deri në dy javë. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale Xhelal Ceka, vendi pas 15 ditësh duhet mbuluar i tëri me dhe si dhe të ndërtohet një park.
Po punojmë 24 orë me dinamikë të përshpejtuar dhe besoj që për 15 ditë, gjitha këto qofshin mbeturina komunale apo materiale internet ë pastrohen dhe siç kemi planifikuar edhe më parë, planifikohet të hidhet edhe një shtresë dheu dhe të shndërrohet në park, planifikojmë po ashtu të mbjellim edhe rreth 40 pemë rreth rrugës kryesore- tha Xhelal Ceka. Drejtor i NPK Tetova.
Përndryshe, ndaj piromanëve të panjohur që dyshohet të kenë vënë zjarrin në deponinë e egër, lëndë ka hapur edhe prokuroria.
Prokuroria e Tetovës me të parë zjarrin dhe tymin që u shkaktua në deponinë e Tetovës, ka hapur procedurë para hetimore dhe po hetohet rasti. Njëkohësisht, procedurë ka të hapur edhe ndaj Ndërmarrjes Publike Komunale, dhe personave të tjerë përgjegjës për deponinë në hyrje të Tetovës”, thonë nga Prokuroria e Tetovës.
Pastrimi i deponisë në hyrje të Tetovës filloi dje pas ndarjes së rreth 12 milion denarëve nga Qeveria, për pastrimin e deponisë në Tetovë dhe asaj në Strugë.
Bashkim Sulejmani

