Në adresat elektronike të gjithsej 47 shkollave në Shkup dhe Kumanovë kanë arritur kërcënime për bomba që supozohej se do të aktivizoheshin në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftuan se menjëherë pas marrjes së denoncimeve janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe pas kontrolleve të kryera është konfirmuar se bëhet fjalë për alarme të rreme.
“Në SPB Shkup dhe SPB Kumanovë dje, rreth orës 18:00, është raportuar se në adresat elektronike të 30 shkollave në Shkup dhe 17 në Kumanovë kanë mbërritur mesazhe për pajisje shpërthyese të vendosura në shkolla. Menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe është konfirmuar se denoncimet janë të rreme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Një nga institucionet arsimore që u kontrollua mëngjesin e sotëm ishte shkolla fillore “Hasan Prishtina” në Çair. Kërcënimi kishte mbërritur në një adresë të vjetër elektronike të shkollës, e cila nuk përdoret më rregullisht.
Drejtoresha e shkollës, Esma Fazlija, tha se policia ka mbërritur në kohë, para nisjes së mësimit, ndaj nuk ka qenë e nevojshme evakuimi i nxënësve.
“Është një traumë shumë e madhe, mirëpo sot ishte ndryshe nga herët e tjera, sepse masat u morën me kohë. Në raste të tjera kemi ndërprerë mësimin dhe nxënësit janë lëshuar në shtëpi. Sot gjithçka u kontrollua para se të fillonte mësimi dhe gjithçka ishte në rregull. Kjo duhet të ndalet urgjentisht, sepse përfshin një numër të madh nxënësish – jo vetëm në shkollën tonë, por edhe në të tjerat. Është vërtet shqetësuese”, deklaroi Fazlija.
Kërcënimet për bomba nëpër shkolla nuk janë një dukuri e re në Maqedoninë e Veriut. Fenomeni është shfaqur që pas periudhës së pandemisë së COVID-19 dhe vazhdon të përsëritet me intervale të ndryshme kohore.


