Qeveria e Serbisë i ka tërhequr të gjithë diplomatët dhe punonjësit nga ambasada e saj në Shkup. Ende nuk dihen arsyet e këtij vendimi, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se kanë prova të mjaftueshme të marra nga agjencia e inteligjencës për, siç ka thënë ai, “shumë veprime intensive kundër autoriteteve dhe institucioneve të Serbisë”. Komentet e kreut të shtetit serb vijnë pas tërheqjes së personelit të Ambasadës së Serbisë nga Maqedonia.
Vuçiq theksoi se ekzistojnë shumë spekulime, por se gjithçka do të bëhet e qartë në 10 ditët e ardhshme.
ALEKSANDAR VUÇIQ, PRESIDENT I SERBISË
“Detyra jonë është që njerëzit tanë të jenë të përgatitur. Do të ketë disa ndryshime në personel dhe do ta mbrojmë miqësinë tonë me Maqedoninë, por edhe si të sillemi në mjedisin e ri. Ka shumë spekulime por mendoj se në 10 ditët e ardhshme do të jetë gjithçka më e qartë.”
Ndërkaq, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq deklaroi se shteti i tij do të marrë masa për të mbrojtur interesat në Maqedoni dhe njëkohësisht do të rishqyrtojë kushtet për të vepruar në Maqedoni, pas tensioneve të krijuara së fundi.
IVICA DAÇIQ, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Javën e ardhshme, pas takimeve që do të kemi me presidentin Vuçiq, një pjesë e stafit tonë do të kthehet në Shkup. Ambasadori do të kthehet më vonë, kur të përfundojmë të gjitha konsultimet që ne synojmë të zbatojmë këtu në Beograd”
Nga ana tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq më herët, e vlerësoi si serioze situatën e krijuar pas tërheqjes së personelit nga ambasada serbe në Shkup. Ajo tha se “kjo nuk është punë e vogël”, duke shtuar se për këtë çështje është duke u konsultuar me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe me ministrin e Jashtëm, Ivica Daciq. Stafi diplomatik nga ambasada serbe në Shkup u largua mbrëmë. Ajnur Bafqari /SHENJA/
Serbia nuk shpjegon përse i largoi diplomatët… by tvshenjaofficial

