Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri, duke i hapur rrugën marrjes së detyrës së tij diplomatike në Tiranë. Kandidatura e tij u miratua në seancën plenare të Senatit ditën e sotme me 50 vota pro dhe 44 kundër në një votim në bllok, pasi disa javë më parë kishte marrë mbështetjen në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit.
Mocioni për kalimin në seancë ekzekutive për shqyrtimin e emërimit, në përputhje me Rezolutën 817 të Senatit (Kongresi i 119-të), u miratua në Senat me votim me zë.
Pas miratimit të kandidaturës nga Senati i Shteteve të Bashkuara, emërimi i Eric Wendt si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri pritet të formalizohet me nënshkrimin e Presidentit Donald Trump. Ky është hapi përfundimtar në procedurën amerikane të emërimit, i cili e bën zyrtar emërimin e tij si ambasador.
Më pas, Eric Wendt pritet të udhëtojë drejt Tiranës për të marrë detyrën. Mandati i tij si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri nis zyrtarisht pas dorëzimit të letrave kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, një ceremoni protokollare që shënon fillimin e plotë të misionit të tij diplomatik në vend.
Vlen të theksohet se Eric Wendt vjen në këtë detyrë si pasues i ambasadores Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në qershor të vitit 2023. Që prej largimit të saj, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, pasi emërimi i një ambasadori të ri u vonua për shkak të procedurave të konfirmimit në Senatin amerikan. Administrata e presidentit Joe Biden më herët kishte propozuar diplomatin David J. Kostelancik për këtë post, por kandidatura e tij nuk arriti të finalizohej në Senat.
-Por kush është Eric Wendt, Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë?
Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati.



