I ftuar në emisionin “IMPAKT” në TV SHENJA, kryetari i Forumit për Ndryshime në Arsim, Blendi Hodai, ka kritikuar privilegjet që gëzojnë deputetët në Kuvend, veçanërisht çmimet e subvencionuara të ushqimit, duke i krahasuar ato me çmimet që paguajnë studentët.
“Ju e dini çfarë benefite kanë deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, marrin mbi 2000 euro rrogë, marrin harxhime rrugore dhe shkojnë në restorantin, në bifenë e Kuvendit dhe marrin për shembull stek pule është 115 denarë. Unë nuk e di ku ka në Shkup apo cilindo qytet të Maqedonisë së Veriut stek pule 115 denarë. Oriz 30 denarë. A e dini sa është orizi te Fakulteti i Elektroinxhinierisë dhe fakulteti ku kryeministri i vendit është profesor? Është 80 denarë. 30 denarë në Kuvend, 80 denarë studentët paguajnë.
Tash unë nuk e kuptoj ç’ne ky privilegjim i të zgjedhurve tanë. Sepse, kjo është duke bërë që këta lloj tipash me këto çmime, domethënë këto çmime nuk mundesh t’i gjesh askund përveçse në Kuvend dhe në Qeveri. Këto çmime të bëjnë që ti si deputet të humbasësh kontaktin me realitetin, sepse nëse ti ha stek pule 115 denarë, ti nuk e di se me çfarë problemesh përballen qytetarët, të cilët duhet të paguajnë 250-300 denarë për një porcion që ju e paguani 115 denarë”, deklaroi Blendi Hodai.



