Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk marrin shërbime të mjaftueshme dhe cilësore nga institucionet shtetërore, gjë që ndikon në uljen e besimit ndaj tyre. Ndërkohë, sa i përket pagesës së tatimeve dhe obligimeve ndaj shtetit, shumë qytetarë shpesh detyrohen t’i shlyejnë ato përmes përmbaruesve, të cilët në shumë raste cenojnë edhe më tej të drejtat e kësaj popullate. Ky konstatim del nga studimi i fundit i profesorit universitar Bashkim Selmani, i realizuar bashkë me studentët e Fakultetit Juridik.
“Në bazë të anketimit, është konstatuar se shqiptarët me 59.2 për qind nuk u besojnë dhe nuk shërbehen me cilësi nga ana e institucioneve, pra pjesa e parë sa iu përket të drejtave dhe detyrimeve që iu përkasin qytetarëve. Nga ana tjetër kemi një shtet tjetër që kur flitet për marrjen e taksave ato realizohen me afat jashtëzakonisht të shkurtër dhe me taksa dyfish më të larta, ku është edhe çështja e përmbarimit, pra kur qytetari ka një borxh prej 1000 denarëve, atij i merret dyfishi i borxhit bazë, që është rreptësishtë e ndaluar me Ligj”, tha Bashkim Selmani, jurist.
Pavarësisht këtyre shkeljeve, Avokati i Popullit si institucion që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e qytetarëve thuajse nuk funksionon fare.
“Kombin shqiptar nuk ka një institucion të vetin që do mbronte të drejtat kombëtare…Gjitha lëndët që kanë qenë te avokati i popullit që ka për detyrë të përcjell këto shqetësime që reflektojmë nuk ka qenë i kujdesshëm aspak por edhe ato pak lëndë që janë iniciuar kanë qenë të dështuara”, u shpreh Bashkim Selmani, jurist. /Alsat.mk


