20 May
Qeveria e re të formohet sa më parë dhe të punojë për kthimin e besimit të qytetarëve te institucionet. Sipas ish politikanit, Imer Selmani partitë shqiptare duhet t’i shmangin imtësirat dhe bashkë me LSDM-në të krijojnë një qeveri të fuqishme, kundrejt opozitës poashtu të fuqishme.
Do të ishte shumë e preferueshme që deri në fund të javës së ardhshme të kemi propozim para deputetëve për miratim të qeverisë dhe para mbarimit të muajit ministrat të ulen të marrin në duart e veta dhe të fillojmë t’i shohim frytet e qeverisjes së re. Më e dobishmja për qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe për shqiptarët në veçanti është që të tre partitë politike shqiptare të jenë në qeverinë e ardhshme. Do të kenë një shumicë të mirë me 67 deputetë, nuk do të jenë ngushtë vetëm me 62 për arsye se do të kenë një opozitë të fuqishme me numër të madh të deputetëve që është VMRO DPMNE-ja me 51 deputetë, duhet llogaritur se betejë e madhe do të bëhet në Parlament – deklaroi Imer Selmani, ish politikan.
Ndërkaq eksperti, Visar Ademi flet për prioritetet e qeverisë së ardhshme.
Sundimi i ligjit, departizimi i institucioneve gjyqësore, profesionalizimi i madh i gjykatave që janë pjesë e këtij procesi. E dyta është mirëqenia ekonomike, që do të vijë nëpërmjet zhvillimit ekonomik të shtetit, duke dhënë mundësi të reja për punësim të të rinjve dhe duke i rritur kapacitetin ekonomik të sektorit privat. Dhe e treta: më e rëndësishme është arsimi, arsimi cilësor. Këto lloj procese duhet t’i kenë personat profesional dhe që janë të dëshmuar në profesionin e vetë. Jo persona që kanë dështuar në të gjitha proceset politike, nuk kanë bërë asgjë e tani përsëri duan të jenë pjesë e institucioneve duke dashur ta mbulojnë krimin ose dështimin e tyre – tha Visar Ademi, analist politik.
Afati kushtetues për dorëzimin në Kuvend të programit Qeveritar dhe përbërjes së kabinetit të ri, skadon më 6 qershor. Në Kuvend për t’u shqyrtuar pret iniciativa për shfuqizimin e testimit ekstern si dhe kërkesa për zgjidhjen e mandatit të pushtetit lokal.
Anesa Aliti

