Lidhjet e Dibrës me Tiranën janë të kamotshme, kurse familjet dibrane japin kontribut të pandërprerë më se 100 vjeçar për ndërtimin e Tiranës si një kryeqytet i vërtetë edhe në periudha të vështira, edhe në periudha më të mira.
Për këtë arsye, Dibra e dibranët çdo herë kanë pasur dëshirë të kenë një lidhje sa më të afërt me kryeqytetin shqiptar. Edhe pse kjo dëshirë u shkëput politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës, ëndërra nuk është shuar kurrë.
Një nga ëndërrimtarët për ndërtimin e një lidhje të shpejtë rrugore mes Dibrës e Tiranës, që do të rikthente në plotninë e tyre lidhjet familjare e shpirtërore mes shumë banorëve të këtyre dy qyteteve, ishte edhe aktivisti e filantropi dibran në Amerikë, Turan Rusi.
Me kthimin e demokracisë në Shqipëri, Turani asokohe në moshë te re, kishte filluar lobimet e para për të ndikuar në fillimin e punimeve për ringjalljen e Rrugës së Arbërit, rruga që do të ofronte Dibrën me Tiranën, e në këtë mënyrë edhe shumë qytete e fshatra tjera që gravitojnë aty.
Ky lobim fuqizohej paralelisht me rritjen e sukseseve të Turan Rusit, si në sferën e biznesit, poashtu edhe në sferën e aktiviteteve kombëtare e humanitare. Shfrytëzonte raportet e afërta me kryeministrin shqiptar Edi Rama, për ta nxitur vazhdimisht që Rrugës së Arbërit t’i jepet prioritet maksimal.
Ky lobim dha rezultate. Turan Rusi arriti fillimin e realizimit të kësaj ëndërre, por jo edhe përfundimin, sepse ndërroi jetë në vitin 2023, kur ky projekt ishte në gjysmën e realizimit.
E lobimin që e kishte filluar i ati, e vazhdoi i biri i tij, atdhetari Selim Rusi, një shqiptar që ka arritur majat e suksesit në Nju Jork. Ai është ndër shqiptarët më të suksesshëm në glob, në kohën kur konkurenca sa vjen e rritet, sepse biznesmenët shqiptarë dita ditës po shënojnë gjithnjë e më shumë arritje.
Si njeri që ka dyert e hapura gjithkund, si në Nu Jork e Uashington, në Bruksel, në Tiranë, Shkup e Prishtinë, Selim Rusi krahas aktiviteteve të shumta, nuk harroi fare as Rrugën e Arbërit. Ai poashtu shfrytëzonte çdo takim e kontakt me mikun e tij, kryeministrin shqiptar Edi Rama, për t’u interesuar për mbarëvajtjen e punimeve për ndërtimin e këtij korridori rrugor, i cili përfundoi me sukses dhe u inaugurua në mars të këtij viti.
Në këtë mënyrë, ëndërra e Turan Rusit u bë realitet, kontributi i tij dhe djemve të tij në krye me Selim Rusin është i pamohueshëm, kurse Rruga e Arbërit sot është një korridor i cili çau malet e shpatet, për të sjellë Tiranën e Dibrën në një afërsi prej vetëm 40 minutash, e duke afruar kalimthi edhe shumë qytete e fshatra tjera.
Për këtë arsye, portali Lideri Mk merr iniciativën që një segment i Rrugës së Arbërit, me pëlqim dhe miratim të familjarëve dhe autoriteteve shqiptare, të mbajë emrin e Turan Rusit, dibranit që u nda nga kjo botë me ëndërrën për një lidhje rrugore që do të afron Dibrën e Tiranën, ashtu siç është afërsia shpirtërore e ndërnjerëzore mes këtyre dy qyteteve.
Presim mbështetje për këtë iniciativë tonën edhe nga mediuet tjera, por edhe nga biznesmenë, intelektualë, politikanë dhe nga gjithë ata që mund të kontribuojnë.