Sektori civil propozon reforma urgjente në gjyqësor, media, zgjedhje dhe disa fusha të tjera që do të ndihmonin vendin për dalje nga kriza politike. Nëpërmjet një dokumenti që do t’u dërgohet partive në bisedimet e Përzhinos, organizatat joqeveritare dhe ekspertët fillimisht kërkuan formimin e një reparti Special, në mënyrë që të zhbllokohet puna e Prokurorisë Speciale.
“Mendimi për formimin e një sektori special është shumë i përhapur dhe unë si gjykatëse mendoj se kjo duhet realizuar sa më shpejtë në interes të efikasitetit gjyqësor dhe daljes nga kriza. Ne vazhdimisht po sillemi në rreth. Derisa nuk kemi ndonjë vendim gjyqësor, çfarëdo qoftë, por me arsyetime të bazuara, vazhdimisht do të kemi probleme rreth veprimeve të gjykatës dhe vlerësimeve për varshmëri. Do kisha përmendur edhe gjykatës Kushtetuese e cila duhet të mendojë mirë për veprimet e saj. Veprimet selektive nuk janë qasje e mirë”, ka deklaruar Margarita Caca Nikollovska, ish gjykatëse.
Ndërkohë, ekspertët e fushës mediatike kërkuan largimin e tërësishëm të reklamimit politik në mënyrë që politikanët mos të kenë asnjë pikë të përbashkët me kryeredaktorët e televizioneve. E kjo do të hapte rrugën për raportin të paanshëm.
“Reklamimi politik duhet të largohet tërësisht. Kjo pasi që krijohen lidhje mes pronarëve dhe partive që pengojnë gazetarinë e pavarur. Propozojmë edhe mënyrë për organizimin e Agjencisë së Mediave që do ta pengonte partizimin e këtij trupi dhe kështu partizimin e vendimeve të tij”, tha Snezhana Trpevska, Instituti për studime të komunikimit .
Një prej pikave kryesore në bisedimet në Përzhino, organizimi i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, propozohet të realizohet duke vazhduar puna intensive e KSHZ-së për pastrimin e listës zgjedhore. Fillimisht kërkohen reformat zgjedhore e më pas caktimi i datës së zgjedhjeve. Një prej propozimeve të ekspertëve të zgjedhjeve ishte që votimi të bëhet me lista të hapura. U kërkua edhe ndërrimi i sistemi të votimit në diasporë.
Me këto propozime për dalje nga kriza, sektori civil shpreson për një vend në tavolinën e bisedimeve, apo të paktën dokumenti që ata e kanë përpiluar në konsultim me ekspertë të secilës fushë të jetë pikënisje e mirë e bisedimeve politike dhe reformave që do të vijojnë.
Ferikan Iljazi /SHENJA/
Sektori civil me dokument për dalje nga kriza by tvshenjaofficial