Përmes përmirësimit të strukturës së ekonomisë, përkatësisht rritjes së konkurrencës, inovacionit, përshtatshmërisë së tregut të punës, do të kontribuohet në përmirësimin e potencialit ekonomik dhe rezistencës së ekonomisë. Prandaj, zbatimi i reformave strukturore nuk duhet të ndalet si pasojë e ballafaqimit me krizën, por duhet të zhvillohet paralelisht, me qëllim që në periudhë afatmesme të krijohet ekonomi që do të ofrojë performancë më të mirë.
“Zbatimi i reformave strukturore, investimi në kapitalin njerëzor, inovacioni financiar dhe investimet”, është shtylla e katërt për diskutim në Forumin ekonomik dhe financiar, Shkup – SEFF, i cili mbahet në datë 30 dhe 31 maj, organizuar nga Ministria e Financave. Në këtë forum, ekspertë dhe zyrtarë të njohur nga vendi dhe rajoni do të debatojnë lidhur me sfidat në periudhën pas pandemisë dhe krijimin e ekonomisë më rezistente.
– “Aftësia e një vendi për përmirësimin e standardit të tij të jetesës, me kalimin e kohës varet pothuajse tërësisht nga aftësia e tij për të rritur produktivitetin për çdo të punësuar” – tha fituesi i çmimit Nobel për ekonomi, Paul Krugman, i cili do të jetë folësi kryesor në SEFF 2022. Pjesëmarrja e këtij mysafiri jashtëzakonisht të rëndësishëm sigurohet në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Maqedoninë e Veriut – AmCham.
Sipas faktorit total të produktivitetit (Total Factor Productivity – TFP), i cili mat rezultatin ekonomik sipas të gjitha inputeve që shfrytëzohen për të gjeneruar mallrat dhe shërbimet, si puna, kapitali, energjia dhe materialet, gjatë pandemisë produktiviteti në Republikën e Maqedonisë së Veriut shënoi rënie për -4,5 krahasuar me dhjetë vitet e fundit para krizës, si rezultat i rënies së produktivitetit të punës. Për krahasim, në vendet e tjera të Evropës Juglindore, rënia në krahasim me periudhën – para krizës është -2.6.
Gjithashtu, ndërkohë që në rajon në periudhën pas pandemisë ky tregues bëhet pozitiv, që tregon se produktiviteti ka arritur dhe tejkaluar nivelin si para pandemisë, me ç’rast ky tregues tek ne është ende negativ, para së gjithash për shkak të rimëkëmbjes më të ngadalësuar të sasisë dhe cilësisë së produktivitetit të punës.
Kjo tregon në atë se duhet të veprohet në drejtim të faktorëve strukturorë, të cilët do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë dhe sasisë së produktivitetit të punës dhe shfrytëzimin më të mirë të kapitalit dhe burimeve. Këtu përfshihet kapitali – investimi në infrastrukturë, dixhitalizimi i proceseve, inovacioni, por mbi të gjitha investimi në kapitalin njerëzor, i cili është shtytësi i të gjithë faktorëve të tjerë.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se edhe pse ka përmirësim të lehtë ndër vite, indeksi i kapitalit njerëzor në vendin tonë është ende shumë më i ulët se mesatarja evropiane. Në vendin tonë indeksi është 0.56, që do të thotë se një fëmijë i lindur sot, sipas investimeve në arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale do të shfrytëzojë vetëm 56% nga potenciali i tij. Për krahasim, mesatarja e BE-së është rreth 75%.
Për ta zgjidhur këtë çështje nevojitet qasje strategjike, të cilën Qeveria e adreson përmes Strategjisë së kapitalit njerëzor. Ajo parasheh disa mekanizma për avancimin e sektorit shëndetësor, social, por mbi të gjitha procesit arsimor.
Përmes përkrahjes së dixhitalizimit, mund të krijohen sinergji në rritjen e potencialit ekonomik, nëpërmjet rritjes së vlerës së shtuar. Prandaj, është prioritet për Qeverinë, si në aspektin e administratës publike, ashtu edhe në aspektin e përkrahjes së inovacionit të kompanive.
Gjithashtu në këtë drejtim është edhe përkrahja për zhvillimin fintech, përkatësisht sigurimi i shërbimeve të reja financiare më të lira. Këtë vit u miratua Ligji për sistemet e pagesave dhe shërbimet e pagesave – ligj strategjik që do të lejojë revolucionin fintech dhe ndjekjen e trendeve botërore në shërbimet financiare edhe tek ne.