Seanca e sotme gjyqësore për rastin “Mitmarrja”, në të cilin është i akuzuar lider i LSDM-së, Zoran Zaev, është shtyrë për më 27 qershor. Arsye për anulimin e seancës është se Zaev në ora 10:30 ka pasur takim me përfaqësuesit e OSBE-së pas ndodhive të 27 prillit, gjegjësisht rrahjes së deputetëve të shumicës parlamentare dhe gazetarëve në Kuvend. Në seancën e fundit, avokatët mbrojtës kërkuan nga Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që t’ju jep kopjet e dëshmive për rastin.
Sipas akuzës Zaev, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar si kryetar i Komunës së Strumicës, nga biznesmeni, Ivan Nikollov, ka kërkuar ryshfet prej 163.924 euro, gjegjësisht nga 2 euro për metër katror tokë ndërtimtare në Strumicës, për të cilën Nikollov ka qenë i interesuar që të privatizohet. Gjykimi i liderit të LSDM-së për këtë rast deri më tani disa herë është anuluar. Procesin gjyqësor kundër Zaevit për rastin “Ryshfeti” e udhëheqë gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, e cila njëkohësisht është edhe zëvendëskryetare e Gjykatës Themelore Shkupi 1. Zaev, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që të emërojë prokuror të ri, në vend të Vlladimir Milloshevski, i cili për momentin e paraqet akuzën në këtë rast, ndërkaq sipas palës mbrojtëse, i ka kaluar mandati më 30 nëntor të vitit të kaluar. Avokatët e Zaevit, kanë kërkuar largim e Milloshevskit, gjithashtu edhe pasi që i njëjti po hetohet nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), për disa vepra penale. Megjithatë, Prokuroria ka hedhur poshtë kërkesat e Zaevit. /SHENJA/