5 April 2018 / 15:54
Agjencia Teknike Operative, kompetente për ndjekjen e telekomunikimeve, mund të mos ketë postin e zv.drejtorit. Edhe pse muaj më parë, në seancën e Qeverisë, u vendos që Agjencia përveç drejtorit të ketë edhe zv.drejtor, në grupet e punës për ligjet reformuese në Kuvend, VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja, siç mësohet jozyrtarisht, janë dakorduar për heqjen e këtij posti. Kërkesa për postin e zv.drejtorit ishte e BDI-së me qëllim të përfaqësimit etnik në postet kyçe të këtij institucioni. Seanca për leximin e dytë të propozim ligjit në Komisionin për Mbrojtje në Kuvend ku duhet të diskutohej kjo çështje, u anulua pikërisht për mungesë kuorumi pas mos-marrëveshjeve për këtë çështje.
Propozim ligji, në versionin që është tani në procedurë parlamentare pas leximit të parë, parashikon që drejtori dhe zv.drejtori të zgjidhen nga Kuvendi me 2/3 e votave, të jenë nga radhët e ekspertëve dhe do të zgjidhen me kritere të njëjta. ATO-ja do të përfaqësojë organ të pavarur, jashtë MPB-së. Ajo do të posedojë vetëm numri e telefonit të personit që duhet të ndiqet, do të jetë ndërmjetësuese dhe përçuese e sinjalit, por nuk do të ketë njohuri se kush përgjohet dhe as përmbajtjen e bisedave. Institucioni që kërkon masën e përgjimit nga ATO-ja nuk do të ketë njohuri për kërkesat e institucionit tjetër për ndjekjen e numrave të caktuar dhe as nuk do të mund të bëjnë shkëmbim të informative të marra nga Agjencia. Ministri i brendshëm Oliver Spasovski disa herë është shprehur i bindur se asnjë institucion nuk do të mund të marrë të dhëna dhe materiale të përgjuara nga Agjencia, pa urdhër gjyqësor për këtë.
Megjithatë, në propozim-ligjet e miratuara nga Qeveria, nuk potencohen kriteret e profilizimit të të punësuarve, përzgjedhja dhe filtrimi i mundshëm i tyre gjatë kalimit nga DSK-ja ose institucionet e tjera të shërbimit sekret, në kuadër të Agjencisë së re. Agjencia, të paktën një herë në vit duhet të dërgojë raport për punën e saj në Komisionin e posaçëm që do të formohet për punën e saj në Kuvend.
Autoritetet nuk bëjnë të ditur sa të punësuar do të ketë Agjencia dhe sa do të kushtojë themelimi dhe vënia e saj në funksion. E shumta më 1 nëntor të 2018-ës, Agjencia duhet të fillojë me punën.
Fatlume Dervishi


