12 April
Deklarata e partive shqiptare dhe protestat kundër zyrtarizmit të shqipes ishin dy temat ku u fokusuan më së tepërmi deputetët në replikat dhe procedurat në seancën konstituive të Kuvendit. Pavarësisht bllokimit të Kuvendit, LSDM-ja edhe një herë paralajmëroi se ka plan për kapërcimin e situatës aktuale.
“Zotëri Veljanovski, ju punoni në kundërshtim me misionin tuaj si kryesues i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Ju punoni kundër interesave të qytetarëve të Maqedonisë, prandaj ju lutem, ose orë më parë dorëhiquni, ose ne do ta gjejmë ilaçin për këtë”, tha Aleksandar Kiracovski, LSDM.
Deputetët e VMRO DPMNE-së edhe një herë përsëritën propozimet e partisë për daljen nga kriza.
“Njëra zgjidhje është LSDM të formojë qeveri të pakicës me 100 deputetë, e cila do të përkrah të gjitha projektet që ZoranZaev me partinë e tij ua premtoi qytetarëve, ose ajo që sipas neve dhe të tjerëve është më legjitime, edhe njëherë të testojmë besueshmërinë tek qytetarët”, tha Dimitar Stevananxhija, VMRO DPMNE.
Ndaj këtyre propozimeve reagoi Vesel Memedi nga Aleanca për shqiptarët. Ai tha se të njëjtat janë të rrezikshme.
“Ju theksuat se do të duhet të bëhemi 100 deputet maqedonas dhe është një mënyrë se si mund të zgjidhet kriza. Unë do t’ju kisha lutë juve dhe gjithë deputetëve tjerë që e përdorin këtë argument të 100 deputetëve maqedonas, mos të përdorin edhe në ardhmen se kjo do të ketë pasoja të rënda për shtetin”, tha Vesel Memedi, Aleanca për Shqiptarët.
Deri në përfundimin e pikës së tretë e cila po e mban të bllokuar Kuvendin të drejtën e fjalës e kanë edhe 44 deputet të VMRO DPMNE-së. Për shkak të pashkëve, seanca konstituive do të vazhdojë të martën.
Blerim Ismaili