27 August 2018 / 15:32
Moti i lig i orëve të para të ditës e pengoi kryeministrin Zoran Zaev t’iu bashkëngjitej homologëve të tij të rajonit për takimin joformal në Durrës të Shqipërisë, njoftuan nga Qeveria. Përpos Zaevit, në diskutimin e sotëm për integrimin ekonomik të rajonit mungoi edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, kryeministri bullgar, Bojko Borisov dhe ai i Bosnjës, Denis Zvizdiq.
Qeveria
“Ju informojmë se për shkak të kushteve të këqija klimatike delegacioni qeveritar, i udhëhequr nga Kryetari i Qeverisë së RM-së, Zoran Zaev, në mëngjes nuk udhëtoi për në Durrës të Shqipërisë, ku duhej të merrte pjesë në takimin joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor për integrimin rajonal ekonomik.”
Euro-komesari për Zgjerim, Johanes Han duke theksuar progresin e arritur të rajonit, përsëriti qëndrimin e tij optimist se vitin e ardhshëm Maqedonia dhe Shqipëria do të mund të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE.
Veçanërisht kur flitet për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë është bërë në fakt shumë progres, që ka çuar në konkluzionet e Këshillit Evropian për sa i përket përgatitjes për negociatat për anëtarësim. Dhe mendoj që miratimi përfundimtar diku nga viti që vjen do të mund të bëhet realitet. Është e rëndësishme të theksohet gjithashtu se kemi dhënë një dritë jeshile edhe sa i përket, liberalizimit të vizave për Kosovën dhe shpresoj që Parlamenti Evropian dhe Këshilli ta trajtojnë këtë çështje brenda një periudhe të shkurtër”- deklaroi Johanes Han, Eurokomesar për Zgjerim.
Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj foli për dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar edhe një herë qëndrimin e tij të kundërt me atë të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Haradinaj tha se Kosova tashmë i ka kufijtë e saj.
Kosova i ka kufijtë e vetë, i ka me Shqipërinë, i ka me Malin e Zi, i ka me Maqedoninë, i ka me Serbinë. Ne i respektojmë këta kufij dhe nuk mendojmë se duhet ndonjë kreativitet i ri në dizajnimin e tyre, por duhet t’i respektojmë kufijtë që kemi ”- u shpreh Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës.
Han nuk pranoi të komentonte çështjen e kufijve, por vetëm tha se BE-ja nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri pa i zgjidhur problemet dypalëshe dhe se marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të duhet të ruajë stabilitetin e të gjithë rajonit. Kryeministri shqiptar, Edi Rama vetëm miratoi atë që tha Han, pa shprehur mendimin e tij mbi çështjen. Rama si nikoqir i takimit theksoi se bashkëpunimi rajonal ekonomik nuk është në nivelin e njëjtë me nivelin e ri të vullnetit dhe bashkëpunimit politik.
Ne besojmë që përveç reformave të mëtejshme në vendin tonë, në secilin vend, përveç progresit brenda vendit në të gjithë sektorët është e domosdoshme të shfrytëzojmë potencialin e madh dhe të pashfrytëzuar të territorit të përbashkët të rajonit tonë, përmes lehtësimit të shkëmbimeve tregtare, përmes fuqizimit të bashkëpunimit”- pohoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Në takim është folur për heqjen e barrierave ekonomike dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal në sferën e energjisë, turizmit, bujqësisë, komunikimit e kështu me radhë.
Anesa Salihu


