Si mund të bashkëpunojnë BE-ja dhe Kina nëse e përcaktojnë veten njëkohësisht si rivalë? Një rrugë me shumë sfida në prag të samitit BE-Kinë.
Situata e tensionuar përpara samitit BE-Kinë më 7 dhjetor në Pekin mund të ilustrohet duke përdorur shembullin e mobilitetit elektronik: Çfarë ishin frigoriferët, tharëset e flokëve dhe lavatriçet nga Kina 20 vjet më parë, tani janë makinat elektrike. Sot ato qarkullojnë në të gjitha kontinentet. Për dekada, industria e automobilave dominohej nga prodhuesit evropianë, japonezë dhe amerikanë. Sot, Kina pëlqen të theksojë se ajo është prodhuesi më i madh i makinave elektrike në botë dhe se po ia kalon konkurrencës së saj të mëparshme. Sipas statistikave kineze, më shumë se gjysmë milioni makina elektrike u eksportuan në gjysmën e parë të 2023. Kjo korrespondon me një rritje prej 160 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ashtu si pajisjet shtëpiake në atë kohë, edhe sot eksportet e Kinës janë mbi të gjitha – të lira. Komisioni i BE-së beson se janë tepër të lira. “Çmimi i këtyre makinave është ulur artificialisht nga subvencionet e mëdha të qeverisë”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. “Kjo deformon tregun tonë.” Tregjet botërore aktualisht janë “të përmbytura ngamakina elektrike më të lira kineze”. Në shtator ajo njoftoi fillimin e një hetimi për subvencionet kineze.