Nuk premtojnë afatet për shpalljen e konkursit dhe zgjedhjen e kryetari të ri të anti-korrupsionit. Ish anëtari i këtij trupi, Shemshi Sallai thotë se procedura që parashikohet me ligj nuk mund të përshpejtohet aq më tepër kur në periudha zgjedhore ndërpriten punësimet.
“Nëse i marrim afatet edhe sikur të shpejtohen, por shpejtimi nuk mund të bëhet në afatet e pritjes, por vetëm nga njëri institucion në tjetrin, gjithsesi para 3 javëve nuk ka mundësi të zgjidhet. Këtu paraqitet ato ngërçi që çdo zgjedhje apo punësim nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve duhet të ndërpritet dhe të mos ketë punësime të reja”, tha Shemshi Sallai, Ish anëtar i Anti-korrupsionit.
Interpretimet se duhet kërkuar mendim nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit apo edhe Gjykata Kushteteuse sipas Sallait nuk mbajnë. Përjashtime nuk guxon të ketë sepse sipas tij kjo përbën shkelje ligjore dhe komplikon procedurat që më pas duhet zgjidhur vetëm përmes shkarkimit.
“Vendimi dihet se si duhet të jetë. Nuk duhet të lejohet një gjë e tillë edhe pse bëhet fjalë për kryetarin e Anti-korrupsionit. Nga të gjitha vendimet që janë sjell deri tani, gjatë periudhës zgjedhore duhet ndërpriten të gjitha punësimet. Ajo që në raste të caktuara duhet vazhduar, nuk vlen. Raste selektive nuk guxon të ketë”, u shpreh Shemshi Sallai, Ish anëtar i Anti-korrupsionit.
Mungesa e kryetarit të anti-korrupsionit, sipas Sallait problemin më të madh e krijon në sjelljen e vendimeve.
“Komisioni do të ngelet pa kryetar, por trupi do të vazhdon punën, ka kapacitetin për të vazhduar por do të jetë problem se në momente të caktuara nëse ka mendime të kundërta nuk mund të mbivotohet ose të sillet një vendim i duhur”, theksoi Shemshi Sallai, Ish anëtar i Anti-korrupsionit.
Ish kryetarja e Anti-korrupsionit, Tatjana Dimitrovska dha dorëheqjen disa muaj pasi u përfshi si e akuzuar në rastin “Aditivët” mbi dyshimet për dhënien e sekreteve zyrtare dhe falsifikim të certifikatës së sigurisë. Kuvendi e konstatoi dorëheqjen e saj, ndërsa ajo në cilësinë e të akuzuarës mbetet nën masa kujdesi. /Alsat.mk