Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vazhdën e një krize botërore ekonomike, energjetike dhe momentumit politik rreth procesin integrues do të ishin një gabim fatal për ardhmërinë demokratike të vendit, thotë për PRESSonline.mk, ish-anëtari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Enver Salihi – duke komentuar kërkesën e opozitares VMRO-DPMNE për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pranverë të vitit 2023.
“Pothuajse është bërë shprehi që zgjedhjet të mbahen para afatit të caktuar 4 vjeçar dhe kjo ka veçori negative në sistemin demokratik. Procesi ri zgjedhor në vazhdën e një krize botërore ekonomike, energjetike dhe momentumin me BE-në do të ishte një gabim fatal për ardhmërinë demokratike të vendit. Ky proces do të kushtoj rreth 5 miljon eur para të qytetarëve me të cilat do të mbulohej boshllëku financiar prandaj të gjitha parametrat janë kundër një procesi të parakohshëm zgjedhor”, deklaroi Salihi për PRESSonline.mk
Sipas tij, Qeveria do të arrij një stabilitet më të madh me Aleancën për Shqiptarët e cila është një parti e shquar pro BE dhe SHBA dhe pikërisht ky është momenti i duhur që Qeveria e RMV-së të fitoj një jetëgjatsi dhe stabilitet dhe futja e saj në këtë qeverisje pothuajse sigurt i shmang zgjedhjet e parakohshme.
“Mbetet të presim inkuadrimin e ASH-së dhe vazdhimin e kësaj qeversije si një vazhdimsi e gjitha detyrave të ndërmarra më parë për të vazhduar rrugëtimin tonë europian. Ndryshimi i konstalacionit politik nuk do të ndryshonte kursin pro BE, por do të humbte kohë të cmuar për etablim dhe do të shkaktonte një ngecje”, theksoi Salihi.
Opozitarja VMRO-DPMNE sëfundmi ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare jo më vonë se në pranverën e vitit 2023, ndërsa LSDM-ja në pushtet është deklaruar se zgjedhjet parlamentare do të jenë të rregullta dhe të njëjtat do të mbahen në afatin e paraparë në vitin 2024.