Deputeti i Frontit Europian, Salih Murat, ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, se ka sabotuar seancën për pyetjet parlamentare të opozitës, duke mos ua mundësuar deputetëve shfrytëzimin e plotë të dy orëve të parapara me Rregulloren e Kuvendit.
Murat, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka theksuar se Neni 42, paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit parasheh dy orë për pyetjet e opozitës, ndërsa paragrafi 5 obligon praninë e ministrave të njoftuar.
Sipas tij, në seancën e sotme, në vend të kryeministrit dhe dhjetë ministrave, kanë qenë të pranishëm vetëm një ministër dhe tre zëvendësministra.
Ai pretendon se, për shkak të mungesës së shumicës së ministrave, opozita u detyrua të kërkonte pushim, ndërsa kryetari i Kuvendit e llogariti këtë kohë brenda dy orëve të parapara për pyetjet parlamentare. Si pasojë, seanca u shty pa e shfrytëzuar opozita kohën e plotë.
Murat kërkon që pushimet të mos përfshihen në kohën e caktuar për pyetjet parlamentare, duke insistuar në dy orë kohë efektive dhe prani të detyrueshme të ministrave.
“Kontrolli parlamentar nuk është privilegj, por thelbi i demokracisë. Këtë të drejtë do ta mbrojmë deri në fund”, ka shkruar Murat.



