MENDOHET SE 30% E TË SËMURËVE VUAJNË NGA “COVIDI I ZGJATUR”
Sistemi shëndetësor në vend përgatitet për trajtim të “Covidit të zgjatur”, përkatësisht të pasojave që virusi korona i lë te një pjesë e të sëmurëve, posaçërisht te ata me pasqyrë më të rëndë klinike. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali në Klan Debatin e mbrëmshëm theksoi se po pajisen qendra kardiologjike ose për terapi fizikale për trajtim të këtyre pacientëve. Mesazhe nga persona me pasoja afatgjate çdo ditë merr edhe mikrobiologu Nikolla Panovski, i cili shton se rreth 30% e pacientëve me pasqyrë më të rëndë klinike zakonisht kanë probleme afatgjate.
Në Maqedoninë e Veriut nuk ka statistika sa prej 300 mijë personave të diagnostikuar me Covid-19 kanë pasoja afatgjate, por sistemi shëndetësor pajiset për trajtim të disa prej simptomave. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, në edicionin e mbrëmshëm të Klan Debat theksoi se shumë pacientë ankohen për “Covid të zgjatur”.
BEKIM SALI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Ne kemi shumë ankesa dhe normalisht është i lartë numri i pacientëve të cilët pas Covid-19 ankohen për sëmundje të reja. Covid-19 ka faktorë multidiciplinarë, multiorganikë, të cilët ndikojnë në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit. Lë gjurmë në organizëm, edhe atë te secili që e ka kaluar sëmundjen ka efekt të ndryshëm. Nuk mund të themi saktë çfarë efekti, në mënyrë statistikore pas një periudhe do t’i përcaktojmë, por punojmë në atë drejtim si të përballemi me pasojat post Covid. Punojmë për pajisjen e qendrave kardiologjike, qendrave për terapi fizikale dhe për rehabilitim.”
Mikrobiologu Nikolla Panovski thotë se merr shumë ankesa për probleme të zgjatura shëndetësore nga njerëzit që kanë qenë të sëmurë me Covid-19.
DR.NIKOLLA PANOVSKI, MIKROBIOLOG
“Nga mesazhet që marr dhe nga ajo që e ndjek literaturën, shumë njerëz ankohen “njerëz ndihmoni, kam shumë pasoja”. Hulumtimet me grupin e kontrollit tregojnë se madje 30%, posaçërisht ata që kanë kaluar me simptoma dhe ata që kanë qenë në spital kanë të paktën një simptomë post Covid, ndërsa janë me dhjetëra.”
Edhe në nivel botëror mendohet se rreth 30% e të sëmurëve me Covid-19, për javë, madje edhe për muaj të tërë ndjejnë simptoma të zgjatura si – lodhje, frymëmarrje e shkurtuar, dhimbje në kraharor, probleme me të mbajturit mend dhe koncetrimin si ose dhimbje në nyje. Disa përfundojnë edhe me probleme të shëndetit mendor, probleme të stomakut, pagjumësi dhe ndryshime në shikim. Studimi britanik sugjeron se “Covidi i zgjatur” mund të shkaktojë edhe zvogëlim të masës së përhimtë të trurit, si pasojë e reagimit të përgjigjes imunitare të organizmit./KlanMacedonia/



