Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka vendosur të mërkurën ta lirojë ish-kryeministrin Sali Berisha nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kjo masë ndaj Berishës ishte vendosur gati një vit më parë – më 30 dhjetor të vitit të kaluar – pasi ish-kryeministri kishte refuzuar detyrimin për t’u paraqitur në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ai ishte ftuar të paraqitet para SPAK-ut për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet ndaj tij për korrupsion në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj, tha për mediat se, mbi bazën e kërkesës së tij, gjykata vendosi ta lirojë Berishën nga masa e arrestit shtëpiak.
“Gjykata konstatoi se nuk ekzistojnë më kushtet e as kriteret për asnjë lloj mase sigurimi ndaj Berishës. Prokuroria kërkoi që ai të mbetej në arrest shtëpiak, por sot nuk ka asnjë masë tjetër sigurimi ndaj tij”, tha Gjokutaj.
Avokati i Berishës shtoi se vendimi për ta liruar Berishën nga “arresti shtëpiak” është i zbatueshëm menjëherë. Pritet reagimi i Prokurorisë nëse do të apelojë këtë vendim.
Ish-kryeministri Berisha ndodhet nën hetim prej tetorit të vitit të kaluar për akuzën e korrupsionit pasiv.
Në atë kohë ndaj tij u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Masa u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-kryeministri Berisha refuzoi ta zbatonte vendimin e gjykatës.
Më 21 nëntor, Gjykata Kushtetuese pranoi pretendimin se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se masa “detyrim paraqitjeje” ishte e mjaftueshme.