Pritet vendimi i Gjykatës Penale për ankesën e paraburgimit të Muhamed Zeqirit. Nga penalja për TV21 thonë se këshilli është formuar dhe po rrjedh afati prej 48 orë për sjelljen e vendimit. Nga atje shtojnë se vendimi mesiguri të merret nesër.
“Gjatë parahetimit mblodhëm prova të mjaftueshme në bazë të dyshimit për vepër të kryer penale. Bëhet fjalë për thuajse një milion euro. Marrëveshja është lidhur në mbi 700 mijë euro, ndërsa pastaj u janë paguar mbi 100 mijë euro shtesë , kështu buxheti është dëmtuar për rreth 54 ose 57 milionë denarë. Kjo do të thotë pothuajse një milion euro”, theksoi Villma Ruskoska, prokurorja për Krim të Organizuar.
Zv/kryeministri Fatmir Bytyqi thotë se sundimi i së drejtës vlen për të gjithë që e kanë shkelur ligjin madje edhe për ata që janë pjesë e pushtetit dhe nëse kanë gabuar duhet të përgjigjen.
“Unë i respektoj parimet, unë besoj në sundimin e së drejtës, sundimi i së drejtës nuk mund të zbatohet pjesërisht. Nëse unë jam në pushtet, nuk mundet që sundimi i së drejtës të vlejë për të tjerët por jo edhe për mua. Ndoshta do të duhet më shumë kohë për të kuptuar se kjo është mënyra e vërtetë, pa dallim se cila është pozita e tij, nëse gabon, pa hyrë në prezumimin e pafajësisë, për shkak se është dëshmuar nëse ka gabuar apo jo“, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.
Zeqiri nga e premtja është në paraburgim në burgun e Shutkës, pasi Gjykata penale e pranoi kërkesën e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion se për të është hapur hetim nën dyshim për abuzim të detyrës zyrtare. Ai është i dyshuar se ka lidhur marrëveshje pa konkurs për furnizim publik për shërbime konsultative për Postat e Maqedonisë.