Rusia goditi qytetet jugore të Ukrainës me dronë dhe raketa për të tretën natë radhazi të enjten, duke e mbajtur Odesën në epiqendër të sulmeve, pas kundërshtive mbi ndërprerjen e një marrëveshjeje që i lejonte Ukrainës të dërgonte grurë përmes këtij porti kryesor të Detit të Zi.
Sulmet vranë të paktën dy persona në Odesa. Në qytetin e afërt Mykolaiv, që gjendet pranë Detit të Zi, të paktën 19 persona u plagosën, përfshirë një fëmijë, thanë zyrtarët ukrainas.
Rusia ka vendosur në objektiv infrastrukturën jetike të eksportit të grurit ukrainas që kur u zotua për “hakmarrje” këtë javë për një sulm që dëmtoi një urë të rëndësishme midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Moska. Zyrtarët rusë fajësuan për këtë sulm dronët detarë ukrainas.
Goditjet ndaj infrastrukturës së eksportit të grurit të Ukrainës kanë ndihmuar rritjen e çmimeve të ushqimeve në vendet që përballen me urinë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se përfundimi i marrëveshjes të hënën do të rezultojë në më shumë vuajtje njerëzore, me ndoshta miliona njerëz që do të ndikohen.