Me flamuj ukrainas dhe pankarta për të dytën herë në Shkup u protestua kundër pushtimit rus në Ukrainë.
Nën organizim të shoqatës “Lesja Ukrainka”, protestuesit kërkuan që urgjentisht të mbyllet hapësira ajrore mbi Ukrainë, por theksuan edhe kërcënimet nga rreziku nuklear.
“Përveç agresionit rus që është i orientuar drejt shkatërrimit të popullsisë dhe infrastrukturës ukrainase, u paraqit edhe kërcënimi jo vetëm për Ukrainën, por edhe për gjithë Evropën dhe më gjerë. Me vet invazinonin rus në Ukrainë, në rrezik është vendosur edhe siguria nukleare globale. Ne si ukrainas në RMV publikisht i drejtohemi Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me apel për nevojë urgjente të mbylljes së hapësirës ajrore mbi Ukrainë që mund të ndalojë eskalimin”. tha Oleksandër Urbanoviç, kryetar i Shoqatës “Lesja Ukrainka”.
Mesazhe për paqe dhe tërheqje të Rusisë nga Ukraina dërguan të gjithë anëtarët e shoqatës. Marijana Vellkovska e cila ka prejardhje ukrainase thotë se të gjithëve u duhet ndihmë.
“Duam paqe, paqe për të gjithë, jo vetëm në Ukrainë. Për shkak se lufta në Ukrainë ka rëndësi për të gjithë botën, për të gjithë Evropën, nuk është e lidhur vetëm me Ukrainën dhe Rusinë. Kam familjarë atje të cilët janë të gatshëm të mbeten atje për të luftuar për vendin e tyre, për liri, ndihma u duhet të gjithëve që janë për momentin atje”, tha Vellkovska.
Të pranishmit në protestë theksuan se lufta duhet të ndalet për shkak se pasojat ndihen gjithkund. Në sheshin ku u mbajt protesta e qetë pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe fotografi me ndërtesa të rrënuara nga pushtimi rus në Ukrainë.