Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, rezulton të jetë pronare e të paktën 3 shtëpive me vlera marramendëse në Tiranë.
SPAK ka zbuluar se pasuritë e paluajtshme, Karçanaj i ka regjistruar në emër të personave të tjerë, por në realitet ajo rezulton të jetë pronarja reale.
Emisioni “Në Shënjestër” në News24, me autore Klodiana Lalën, publikoi dëshminë e shoferit të Karçanaj, dhënë në SPAK, ku tregon sesi e zbuloi që shtëpia ku ai e merrte çdo ditë ishte e shefes së tij.
Bëhet fjalë për një apartament në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë, ku sipas SPAK, shtetasi Genci Osmënaj ia ka shitur këtë pasuri kompanisë Fortis Beton Co.
Apartamenti është me sipërfaqe 203.3 metër katrorë dhe është blerë në shumën prej 370 mijë eurosh. Aktualisht në këtë apartament banon Mirlinda Karcanaj. Kjo e fundit ka nënshkruar kontratë qiraje me shoqërinë Fortis Beton CO, në shkurt të 2025.
Florjan Bylyku, shoferi i ish-drejtoreshës së AKSHI-t, zbuloi se pas kësaj pasurie në të vërtetë fshihej shefja e tij.
“Nga viti 2019 ajo ka banuar në një shtëpi përballë bankës së Shqipërisë në rrugën e Kavajës. Ajo lëvizi me qira pranë Stadiumit Air Albania. Do ketë qenë fillimi i janarit 2025 kur kam filluar ta marr me makinë te shtëpia e re te Air Albania. Mirlinda Karcanaj në fundit të dhjetorit 2024, më ka thënë që t’i çoja rrobat atje dhe i kam dërguar unë”, thuhet në dëshminë e shoferit të Karçanaj.
Sipas SPAK, nga hetimet rezulton se e hetuara Mirlinda Karcanaj e ka poseduar efektivisht apartamentin që përpara se të nënshkruante kontratën e qirasë, duke nënkuptuar se kontrata është fiktive dhe është kryer në mashtrim të ligjit, me qëllim fshehjen e faktit që kjo banesë është blerë me qëllimin e vetëm për tu p[përdorur nga e hetuara Mirlinda Karçanaj.
Lidhur me një apartament më rrugën e Kavajës rezulton nga hetimet rezulton se Rafael Bistri ka e ka blerë këtë apartament në shumën prej 78 mijë e 380 euro nga shtetasi Bledar Likaj.
Me 7 mars 2017 ai ka lidhur dy kontrata huaje me shoqërinë Forensic Lac dhe Fasttech e Andis Papa, ky i fundit nën hetim nga SPAK. Në total shuma e huave është 80 mijë euro.
Një vit më vonë, në 2018 ai e ka shitur këtë pasuri motrës së Daniel Shimës, ish -zv drejtorit të AKSHIT që u zhduk në mënyrë të mistershshme vjeshtën e 2025 për më shumë se 10 orë.
Në 2019 motra e Daniel Shimës ia shet këtë pasuri nënës së Mirlinda Karcanaj, Gjinovefa Karcanaj për 50 mijë euro. Pra rreth 3 milionë lekë më lirë se çmimi fillestar i blerjes.
Kur u pyet nga SPAK Rafael Bistri tha se nuk mbante mend asgjë, sesi e ka nënshkruar kontratën. Por kur iu vu në dispozicion dokumentacioni lidhur me marrjen e shumës prej 80 mijë eurosh hua nga Erisa Mallellari dhe Andis Papa, tha se i ka dëgjuar këto emra në tavolina ku kishte qëndruar me shtetasi Ermal Beqiri.
“Nga hetimet rezulton se vlera reale e transaksionit të kryer, për blerjen e këtij apartamenti është rreth 60 mijë euro dhe jo sa është deklaruar në aktet noteriale, ku vlera prej 80 mijë euro është paguar cash nga Mirlinda Karcanaj me të ardhura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal”, thotë SPAK.
Sipas prokurorisë së posaçme, konkludohet se kjo pasuri është produkt i veprës penale të korrupsionit prej të hetuarës Mirlinda Karcanaj me të ardhura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal, si rezultat i veprimeve të saj në cilësinë e drejtueses së AKSHI-t.


