Në vitin 2025, numri i miliarderëve në botë kaloi 3 mijë persona, me një pasuri të përbashkët prej 18.300 miliardë dollarësh, një koncentrim që Oxfam e quan si “i paprecedent historik”, sa tetë herë më i madh se PBB-ja e Italisë. Vetëm 12 miliarderët më të pasur zotërojnë 2.635 miliardë dollarë, më shumë se gjysma më e varfër e popullsisë botërore, rreth 4,1 miliardë njerëz.
Raporti i përvitshëm i Oxfam, i publikuar para World Economic Forum në Davos, titullohet “Në prag të hendekut të pabarazisë”. Ai tregon se pasuria ekstreme nuk i jep vetëm avantazhe ekonomike të pakrahasueshme, por edhe pushtet politik të fortë, duke i lejuar më të pasurit të influencojnë ligjet dhe politikat në favor të tyre, ndërsa të varfrit mbeten të margjinalizuar.
Situata ka pasoja dramatike. Të drejtat bazë për ata që lindin në vende ose familje të pafavorshme janë të kufizuara, resurset publike janë të pakta dhe ndihmat globale po ulen ndjeshëm. Oxfam paralajmëron se ulja drastike e fondeve nga vendet e pasura mund të shkaktojë mbi 14 milionë vdekje shtesë deri në 2030, përfshirë 4,5 milionë fëmijë nën 5 vjeç.
Raporti nënvizon gjithashtu se synimi i OKB-së për zhdukjen e varfërisë ekstreme deri në 2030 nuk duket i realizueshëm, përveç nëse rritet barazia dhe zhvillimi ekonomik global. Maslennikov, këshilltar i politikave në Oxfam, thekson se varfëria ekstreme po rritet përsëri në Afrikë, ndërsa përqindja globale e uljes së varfërisë nuk ka ndryshuar gjashtë vitet e fundit.
Për të ilustruar diferencat, Oxfam përdor paradokse të dhimbshme: nëse pasuria e miliarderëve të vitit 2025 do të shpërndahej virtualisht tek të gjithë qytetarët, ata do të mbeteshin 500 miliardë dollarë më të pasur se në 2024. Gjithashtu, pasuria e 3 mijë miliarderëve globalë është 26 herë më e madhe se shuma e nevojshme për të dhënë 3 dollarë në ditë për 831 milionë njerëz që jetojnë në varfëri ekstreme.
Në vend që ta përdorin pasurinë për të ulur varfërinë, miliarderët e konsolidojnë fuqinë e tyre: në SHBA, kompanitë e 10 burrave më të pasur shpenzuan 88 milionë dollarë për ndikim politik në 2024, më shumë se të gjithë sindikatat së bashku. Kjo rrit pabarazinë sociale dhe dobëson shtetin social, duke e bërë botën më të ndjeshme ndaj autoritarizmit.
Oxfam paralajmëron: rritja e pasurisë ekstreme shoqërohet me rrezikun e regresit demokratik. Për shembull, Shtetet e Bashkuara kanë 8,4% gjasë për regres demokratik, Afrika e Jugut 31%, ndërsa numri i njerëzve që jetojnë në vende me hapësirë civile të shtypur është rritur 67% midis 2018 dhe 2024.
Pabarazia ekstreme nuk është vetëm çështje pasurie, por rrugë drejt pushtetit të pakontrolluar dhe autoritarizmit.
/tvklan.al


