Një ngjarje tragjike është shënuar këtë të hënë në fshatin Balldren të Lezhës, ku një i moshuar ka humbur jetën pasi ka rënë nga një lartësi prej rreth 20 metrash brenda një shpelle.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është një burrë i moshuar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik. Familjarët kishin ngritur alarmin pasi ai ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më, çka i shtyu të njoftojnë uniformat blu.
Pas disa orësh kërkime intensive, i moshuari u gjet brenda një shpelle në malin përballë shtëpisë së tij. Mendohet se ai ka rrëshqitur dhe ka rënë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për nxjerrjen e trupit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.