Edhe përkundër trumbetimeve të shumta për hapjen e shpejtë të kufirit Bellanoc-Stançiç, zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bujar Osmani, ka konfirmuar sot se ndërtimi i objektit të përbashkët kufitar me mjetet nga fondet IPA është një nga projektet që rrezikon të dështojë për shkak të zvarritjeve të deritanishme. Afati i fundit për realizimin e këtij projekti është muaji dhjetor, ndërsa shumë procedura ende kanë mbetur pa përfunduar për t’i siguruar mjetet dhe për të filluar punimet. Nëse deri atëherë nuk realizohen në kohë, atëherë mjetet e parapara për këtë projekt do të kthehet mbrapa.
Kjo u tha sot gjatë prezentimit të një analize për shfrytëzimin e deritanishëm të fondeve IPA të dedikuara për projektet zhvillimore në Maqedoni. Nga programi i ashtuquajtur IPA 1, Maqedonia ka humbur 119 milionë euro të cilat janë kthyer në buxhetin e BE-së për shkak të mungesës së projekteve. Por edhe shumë mjete të tjera rrezikojnë të humben për shkak të vonesave në realizim.
Ndërkaq, nga programi IPA 2 që përfshin periudhën 2014-2020, 25% e mjeteve apo 150 milionë euro janë të pashfrytëzuara, por për të njëjtat ka ende kohë për aplikim. Për shfrytëzimin e këtyre të fundit Qeveria është duke përgatitur strategji për shfrytëzimin e fondeve IPA ,gjegjësisht përmirësimin e anomalive dhe forcimin e kapaciteteve për shfrytëzimin dhe realizimin e mjeteve nga programi IPA. Arben Zeqiri

