Saga e problemeve të mbi 1000 medresantëve në Republikën e Maqedonisë Veriore vazhdon. Si duket askush nuk është i interesuar që në mënyrë institucionale të zgjidh njëherë e përgjithmonë problemin e tyre.
Portali Almakos disa herë iu është kthyer problemit të medresantëve dhe ka hasur në veshë të shurdhër nga institucionet kompetente si dhe në frikë nga një numër i medresantëve dhe prindërve për të dhënë deklaratë.
Ibrahim Neziri, përgjegjësi për student në UT në një deklaratë për portalin Almakos ka konfirmuar të dhënat se rreth 100 medresant nuk janë pranuar në Universitetin e Tetovës për të studiuar për shkak të kushtit të maturës shtetërore.
Nga Universiteti i Tetovës na u përgjigjën zyrtarisht se në afatin e parë dhe të dytë nuk është regjistruar asnjë medresant.
Arsyeja e mosregjistrimit të medresantëve, sipas UT-së, është mungesa e dhënies së maturës shtetërore që parashikohet me ligj.
“Në vitin akademik 2019/20, në afatin e parë dhe të dytë në Universitetin e Tetovës nuk është regjistruar asnjë nxënës me shkollim të mesëm të Medresesë, për shkak se sipas nenit 134 të Ligjit për arsim të lartë të RM-së (Gazeta Zyrtare nr.82/2018), të drejtën e regjistrimit në studimet e ciklit parë mund ta realizojë personi i cili e ka kaluar maturën shtetërore apo maturën ndërkombëtare ose që e ka përfunduar arsimin e mesëm katërvjeçar sipas rregullave para se të vendoset matura shtetërore.
Urojmë që situata e pakëndshme e kësaj kategorie të nxënësve të tejkalohet në dobi të ecurisë së tyre arsimore.”, thuan nga Zyra për Informim e Universitetit të Tetovës për portalin Almakos.
Pas presioneve të vazhdueshme të portalit Almakos ndaj institucioneve të shtetit, përfundimisht është zgjuar nga gjumi edhe ministria e arsimit dhe ministri i saj, Arbër Ademi para disa ditësh ka premtuar se do të ketë zgjidhje përfundimtare të këtij problemi.
“Pjesa tjetër e premtimit që duhet të realizohet së shpejti është institucionalizimi i shkollës së mesme të medresesë “Isa Beu” dhe në ditët në vijim, së bashku me grupet punuese që do t’i caktoj edhe BFI, do të shqyrtojmë ato dispozita ligjore, faktikisht të propozim ligjit të përgatitur tash më nga ana jonë dhe për të draftuar në mënyrë më të mirë të mundshme atë propozim ligj që i njejti të mbushet me nevojat dhe kërkesat e BFI-së, si themeluese e medresesë, po e gjithë komunitetit musliman këtu në vendin tonë”, ka deklaruar Arbër Ademi.
Sipas të gjitha parashikimeve nëse gjërat rrjedhin si duhet, vitin e ardhshëm ky problem pritet që të zgjidhet përfundimisht.
Por ajo që është e paqartë është fati i mbi 1000 medresantëve të cilët po e humbasin të drejtën e studimit për shkak të vonesave dhe ngarkesave juridike dhe mospërfilljes së këtij problemi nga ana e institucioneve kompetente.
Hamdi Nuhiju/Almakos/



