Nga: Ylldrit Bomova
Përvoja historike na mëson se nuk ka ideologji, nuk ka politikë, nuk ka rend politik shoqëror që nuk është vjetëruar, që nuk u është bërë njerëzve i padurueshëm dhe që nuk kanë nguruar të bëjnë njerëzit çdo gjë për tu liruar prej tij, e jo më të ketë një parti, që në ballafaqim me gjithë ato të sipërthëna, ti reziston pakënaqësisë dhe vullnetit të popullit për ndryshim.
Shqiptarët në Maqedoni sot janë të pakënaqur, më të pakënaqur se kurrë më parë. Të shtypur, të shfrytëzuar, të diskriminuar, të rrënuar ekonomikisht dhe politikisht. Gjithë kjo faturë mjerimi i adresohet jo tjetër kujt veç partisë në pushtet por pa pushtet që manipulon në emër të shqiptarëve në Maqedoni.
A nuk është kontradiktore që qyteti me numrin më të madh të shqiptarëve në Maqedoni, Tetova, të jetë qyteti më i ndotur në vend e rajon, në ndërkohë që partia shqiptare në qeveri e quan arritje që ministri i ambientit është shqiptar? A s’është kontradiktore manipulimi gjyqësor dhe burgimet e përjetshme për shqiptarë të pafajshëm, në ndërkohe që ministri i drejtësisë, fatkeqësisht është shqiptar, akoma më keq, është shef i shtabit qëndror i partisë në pushtet dhe pretendon fitore? Me cfarë arritje kërkoni fitoren? Me vendimet e montuara te gjykatës për rastin Monstra ? Apo për torturimet, vuajtjet, vrasjet e shqiptarëve në gjendje të mjerueshme të burgjeve që ministria e juaj i administron? A nuk është kontradiktore që një projekt antishqiptar si projekti “Lukovo Pole”, që shkatërron kanionin e Radikës, të miratohet nga ministria e Ekonomisë, në ndërkohë që ministri i Ekonomisë është shqiptar? Si e shpjegoni faktin që Universiteti i Tetovës, është degraduar, bastarduar, nga universitet, në një kioskë diplomash, i rënditur në universitetet më të dobëta në botë, dhe universiteti i gjashtë në Maqedoni? Si i shpjegoni tekstet shkollore, raciste, diskriminuese, fyese, për shqiptarët? Edhe ministri i arsimit është shqiptar, i atyre shqiptarëve, ku shumica e shkollave të tyre, punojnë me dy deri ne tre turne, i atyre dyqindmijë shqiptarëve të Shkupit që ndajnë vetëm një shkollë të mesme.
Kjo qeveri, ka qenë e aftë të dëshmojë vetëm një gjë : Dështim dhe vetëm dështim. Kthim prapa dhe mjerim për popullin. Në vend të vlerave, na ka dhuruar kundërvlera. U mashtruat me pesë ministri, në ndërkohë që një herë të vetme nuk jeni kyçur në partneritet qeverisës me marrëveshje konkrete dhe kërkesa kombëtare, as nuk na keni integruar, as na keni mbrojtur, na keni shitur!
Mund të mos i dëshironi, por revolucionet janë të pashmangshme në historinë njerëzore. Deri sa të ketë padrejtësi, deri sa të ketë shfrytëzim, deri sa të ketë të pushtuar, deri sa të ketë të nënçmuar, deri sa të ketë të braktisur, pamëshirshëm të braktisur, deri sa të ketë të pasur që sdijnë çtë bëjnë me pasurinë e tyre dhe të varfër që nuk kanë as barkun si ta ngijnë, do të ketë revolucione. Fatkeqësisht. Fatmirësisht.