25 October
Bashkësia etnike rome në Maqedoni përballet me diskriminim të skajshëm gjatë proceseve gjyqësore. Ky është konstatim i dalë nga hulumtimi i Qendrës për Hulumtime dhe Analiza. Sipas këtij hulumtimi 58% e popullatës rome të cilët janë të akuzuar për ndonjë vepër penale, nuk kanë avokat për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ndërkohë shumicës së romëve që janë të paditur për ndonjë vepër penale të caktuar nuk iu mundësohet përkthim gjatë seancave gjyqësore.
Përballen me pamundësi që ata të shfrytëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me ligj gjatë procesit gjyqësor edhe atë për shkak të arsyeve të caktuara. Të dhëna shqetësuese që vërtetuam në bazë të hulumtimit tonë është se tek të akuzuarit e nacionalitetit rom nuk ka mbrojtje gjatë procedurës penale. Po ashtu edhe qasja ndaj të akuzuarit romë është shumë e rëndë, për shkak të gjendjes së tyre të keqe financiare për të angazhuar një avokat- deklaroi avokatja Alma Mustafovska Salimovska.
Para së gjithash qëllim i kësaj analize është qasja e administratorëve të drejtësisë ndaj popullatës rome duke marrë parasysh barazinë si një vlerë në shoqëri. Kjo analizë ka ofruar argumente dhe konkluza ndaj pozitës së romëve në pozitën e të akuzuarve, dhe viktimave gjatë një ngjarje të caktuar gjyqësore- tha Oliver Mitkov, udhëheqës i projektit.
Përmes kësaj analize janë përfshirë gjithsejtë 4 gjykata me 144 procese gjyqësore. Bëhet fjalë për Gjykatën Themelore Shkupi 1, Gjykata e Shtipit, Gjykata e Manastirit dhe Gjykata e Kumanovës. Në Maqedoni aktualisht ka vetëm një gjykatës të përkatësisë rome, ndërkaq në Prokurorinë Themelore Publike nuk ka asnjë prokuror rom.
Vjollca Aliti

