Ndihmëssekretari amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit në SHBA, Todd D. Robinson, po zhvillon një vizitë në Shqipëri.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur sot se “në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues shqiptarë dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, ndihmëssekretari Todd Robinson, falënderoi partnerët shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e ligjit, transparencën, si dhe dhënien fund pandëshkueshmërisë”.
Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë, teksa ajo lufton krimin dhe korrupsionin.
“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por, si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni…”, theksoi Robinson.
“Ne do mbështetemi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor… por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju… dhe unë mund t’jua premtoj se, teksa ju vazhdoni punën tuaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara do jetë partneri juaj në këtë dhe do ecë krah jush në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë”, u shpreh ai.



