Pas një periudhe të gjatë, Qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit u ulën në një tryezë të përbashkët dhe në seancën e Këshillit Ekonomik dhe Social (KES) diskutuan pagën minimale dhe shportën e re qeveritare të konsumatorit, e cila, sipas ministrit të Ekonomisë Besar Durmishi, duhet të jetë themeli për ndërtimin e politikave për të mbrojtur standardin e jetesës. Megjithatë, edhe ky takim përfundoi pa një marrëveshje konkrete. Duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale po afrohen, sipas LSM-së, është gjithnjë e më e sigurt se punëtorët në vend do të mbeten me pagën minimale më të ulët nga të gjitha vendet në rajon, transmeton Portalb.mk.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkon pagë minimale prej 500 eurosh dhe rritje prej 6,000 denarësh në pagat e tjera, duke shpjeguar se paga minimale në vend është më e ulëta në rajon. Qëndrimi i Qeverisë është se parametra të tjerë duhet të merren parasysh për të rritur pagën minimale dhe se inflacioni nuk duhet të lejohet të rritet.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha në një konferencë për shtyp se kjo çështje u ngrit me kërkesë të Lidhjes së Sindikatave, por se si Qeveri nuk do të miratojnë zgjidhje ad hoc si qeveria e mëparshme.
“Lidhjes së Sindikatave iu kërkua ta vendoste atë si pikë në rend të ditës. Si Qeveri, ne po punojmë për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve. Nëse sindikatat dhe punëdhënësit arrijnë marrëveshje, ne do t’i mbështesim ata, nuk mund të mbajmë njërën anë. Pagat janë rritur në administratën publike, në arsim, shëndetësi dhe polici. Ne nuk do të ndjekim politika si qeveria e mëparshme dhe të miratojmë zgjidhje ad hoc, duhet të shohim produktivitet dhe nuk mund të rrisim inflacionin”, tha Durmishi.
Lidhja e Sindikatave shprehu zhgënjim, duke deklaruar se nuk ka perspektiva për rritjen e pagës minimale. Kreu i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, njoftoi se organet më të larta të Sindikatës do të takohen deri në mesin e muajit për të vendosur për hapat e ardhshëm. Megjithatë, sipas Trendafilov, ka pak kohë deri në shpalljen e zgjedhjeve lokale, deri në të cilat mund të bëhet diçka.
Në seancën e KES-së u prezantua edhe metodologjia për llogaritjen e shportës së konsumatorit. Kjo, sipas ministrit të Ekonomisë, nuk do të thotë mohim i shportës sindikale, e cila, sipas tij, është një “shportë e dëshiruar” dhe nuk bazohet në nevojat reale të qytetarëve. Është njoftuar se shporta e re e konsumatorit do të përfshijë kryesisht produkte bujqësore sezonale, dhe do të përjashtohen cigaret dhe produktet e tjera që nuk janë të nevojshme.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij në seancën e Këshillit Ekonomik dhe Social, e cila u mbajt pas një kohe të gjatë, tha se mund të arrihen zgjidhje të mira nëse interesi i qytetarëve është më i rëndësishëm sesa dallimet personale ose politike. Dallimet midis Qeverisë dhe disa prej sindikatave, si dhe me palët e tjera të interesuara brenda Këshillit, sipas tij, janë një arsye shtesë që dialogu të jetë më i sinqertë dhe i hapur.