Rivotimi në Tearcë të Tetovës është historik dhe shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Kështu vlerësuan në emisionin debativ Arena, kryetari i OJQ “Civil”, Xhabir Deralla dhe analisti politik Sefer Tahiri. Kreu i civilit, Deralla theksoi se tek qytetarët është rritur vetëdije se vota vlenë dhe të votojnë sipas bindjeve të tyre. Ai tha se më 25 dhjetor do të jenë tepër aktiv që të vëzhgojnë situatën, ndërsa porositi votuesit që të mos bien pre e presioneve të ndryshme.
“Porosia ime deri te të gjithë është, kur të ndalen prapa kutisë së votimit, le ta dijnë se janë vetëm me laps në dorë dhe të jenë të sigurt se në vendvotime nuk ka kamera, ne do ta kontrollojmë këtë, dhe mund t’ju zbuloj se në terren veçmë janë vëzhguesit tanë dhe i regjistrojnë të gjitha rastet. Nëse ka përpjekje për blerje të votuesve ne do ta dijmë”, ka deklaruar Xhabir Deralla, OJQ CIVIL.
Analisti politik, Sefer Tahiri, vlerësoi se rivotimi në Tearcë është moment i rëndësishëm politik dhe ata qytetarë kanë mundësinë ta ndryshojnë rezultatin paraprak të 11 dhjetorit. Sipas Tahirit vota e tearcasve është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë, ndërsa vlerëson se partitë shqiptare duhet të kenë qëndrim neutral pasi gara është mes dy partive maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM.
“Unë mendoj se ajo që është e rëndësishme dhe që duhet ta them që në fillim, që partitë politike shqiptare sidomos BDI-ja në pushtet por edhe partitë tjera, duhet t’i lënë qytetarët vet të vendosin. Pra qytetari shqiptar dhe qytetarët tjerë, në këtë vendvotim të vendosin me kokën e tyre, pa u bërë presione dhe pa u bërë thirrje për bojkot”, tha Sefer Tahiri, analist politik.
Që rezultati i zgjedhjeve të ndryshojë dhe të ketë barazim mandatesh mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Tahri vlerëson se socialdemokratët në vendvotimin në Tearcë duhet të marrin mbi 400 vota ndërsa VMRO-DPMNE-ja të mos merr më shumë se 90 vota të cilat i morri nga zgjedhjet e 11 dhjetorit në këtë vendvotim.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Rivotimi në Tearcë i rëndësishëm për të ardhmen by tvshenjaofficial