Elmi Aziri nga Fronti Europian sot ka reaguar ndaj vendimit të KSHZ për përsëritjen e votimit në një vendvotim në Komunën e Zhelinës. Aziri tha se anëtarët e partive politike të tjera në KSHZ me mbivotim kanë sjell vendim për rivotim në disa vendvotime në zonën 5 dhe 6, pikërisht ku në vendvotimet fitues janë palët ankimuese. Aziri tha se Fronti Europian do ta ankimojë vendimin e KSHZ-së në Gjykatën Administrative. Ai shtoi se për këtë vendim kanë njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare.
“Të gjithë ishim dëshmitar që dje deri vonë në orët e mëngjesit për keqpërdorimin brutal të institucionit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe tentativës për vjedhje materiale dhe institucionale pa asnjë argument mbi mandatet e Frontit Europian në marrëveshje të VMRO-së, LSDM-së dhe VLEN-it. Zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit kaluan në një atmosferë të qetë dhe i treguam botës demokratike se mund të jemi shembull për ruajtjen e demokracisë. Pasi që u konstatua që Fronti Europian është forcë e dytë politike në vend, të njëjtat forca politike po bëjnë të pamundurën për të kontestuar atë legjitimitet të cilën Fronti Europian e fitoi më 8 maj ku dhe dolëm fitues njëjtë si më 24 prill. Në mënyrë jo të drejtë dhe me mbivotim KSHZ solli vendim për rivotim në disa vendvotime në zonën 5 dhe 6 zgjedhore, pikërisht në vendvotimin ku fitues është pala ankimuese cilët votuesit e tyre po i emërtojnë si hajdut duke e poshtëruar kështu një elektorat të tërë. Kemi alarmuar të gjitha institucionet përkatëse dhe faktorin ndërkombëtar se anëtarëve të KSHZ-së u janë dhënë urdhra partiake”, ka deklaruar Elmi Aziri nga Fronti Europian.
Nga ana tjetër, përfaqësues të koalicionit “VLEN” në Tetovë në konferencë për shtyp publikuan shembuj të shkeljeve të Kodit Zgjedhor në njësinë e gjashtë zgjedhore. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Fatmir Sabriu, ka sqaruar në emër të koalicionit se kjo është bazuar në pranimin e ankesave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
“Dje me vendim të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve edhe njëherë u dëshmua se Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka kapacitet dhe kredibilitet për të implementuar zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duke vepruar në bazë të ankesave të Koalicionit VLEN të parashtruar për disa vendvotime në zonën e 6 zgjedhore si dhe duke u mbështetur në dispozitat e Kodit Zgjedhor vendosi që të hap kutitë e votimit për 7 vendvotime ku në 4 prej tyre u konstatuan parregullsi edhe atë: në vendvotimin 2101, vendbanimi Llërcë, Komuna e Zhelinës u konstatua se në kutinë e votimit ka 1 votë më shumë në favor të Frontit Evropian sesa votues të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, në vendvotimin 0387 vendbanimi Gostivar dhe vendvotimin 1953 vendbanimi Tetovë pati korigjim të rezultatit zgjedhor pasiqë vota të pavlefshme janë numëruar dhe llogaritur si vota të Frontit Evropian”, theksoi Sabriu. Sipas tij, “Fronti Evropian ka shkelur vullnetin e qytetarëve”.