Ekipet e Inspektoratit të Tregut kanë konstatuar disa parregullsi gjatë kontrolleve në markete te tregtarët me pakicë, ndërsa mund të ketë dënime si mbyllje e marketeve, deklaroi sot në Prilep zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski.
“Në terren ndodhen rreth 50 ekipe të Inspektoratit të Tregut. Po kontrollohen marketet, farmacitë, kudo ku shitet me pakicë. Janë konstatuar disa parregullsi. Ka parregullsi në etiketimin e produkteve me zbritje, në përcaktimin e marzheve, çmimeve, në evidencën kontabël… Javën e ardhshme do të shqiptohen gjoba për më të padisiplinuarit dhe nuk përjashtohet mbyllja e disa marketeve, që është një nga masat e fundit në Ligjin për Tregti”, theksoi Risteski.
Javën e ardhshme Inspektorati do t’i kontrollojë të gjithë distributorët dhe importuesit më të mëdhenj në vend. Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës po punon për mbledhjen e provave për shpalljen e të ashtuquajturës “bashkim kartelesh”.
“Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës është duke e kryer punën e vet në mënyrë profesionale dhe nëse përcaktojnë një bashkim të tillë do të ketë dënime të parapara me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve”, tha Risteski.
Risteski pret që masat e qeverisë të japin rezultate.
“Masat dhe vendimet janë marrë për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve. Me masat janë përfshirë 102 grupe produktesh ose rreth 1 200 produkte. Tregtarët duhet të mësohen të jenë të disiplinuar, t’i respektojnë masat e destinuara për qytetarët. Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës dhe si Inspeksion Shtetëror i Tregut, kudo që do të konstatojmë mospërputhje në vendimet që cenojnë të drejtat e qytetarëve, do të dënohen në mënyrë rigoroze”, theksoi Risteski.