Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka reaguar pas shqetësimeve për cilësinë e ujit të pijshëm në qytet, duke bërë të ditur se ndalimi i përdorimit të ujit do të vazhdojë deri në daljen e rezultateve zyrtare të analizave laboratorike.
Sipas tij, analizat e rregullta të kryera nga NP “Komunalec” kanë treguar se parametrat e ujit kanë qenë brenda vlerave të lejuara, ndërsa pas denoncimit të fundit institucionet kompetente kanë kryer kontrolle shtesë dhe kanë marrë mostra të reja për analizë.
Me rekomandim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, është vendosur ndalim i përkohshëm i përdorimit të ujit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit, masë të cilën Limani e cilësoi parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Ai tha se pretendimet për përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm janë duke u verifikuar, ndërsa deri tani nuk ka dëshmi zyrtare që problemet shëndetësore të raportuara lidhen me ujin e ujësjellësit.
Komuna, sipas Limanit, po bashkëpunon me të gjitha institucionet kompetente dhe rezultatet zyrtare do të bëhen publike sapo të jenë në dispozicion. Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masën e ndalimit dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare.
MARKETING



