Arbërie Nagavci, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ka ofruar një pasqyrë të rëndësishme mbi rikthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Nagavci ka theksuar se situata aktuale paraqet dy alternativa për Parlamentin.
“Procedura pas kthimit të Projektligjit nga Presidentja parashikon dy mundësi: Kuvendi mund ta hedhë poshtë vendimin e presidentes me 61 vota, ose mund ta miratojë propozimin për rikthimin e Projektligjit”, ka thënë ajo.
Ajo theksoi se ky proces do të trajtohet me shumë kujdes dhe seriozitet.
“Qëndrimet e Lëvizjes janë të njohura. Ne vazhdojmë të besojmë se krijimi i Dhomave të Specializuara ka qenë një gabim. Gjithashtu, vlerësojmë se aktgjykimi për dënimin e krerëve të UÇK-së është i padrejtë dhe kjo çështje duhet të shqyrtohet me kujdes në Gjykatën e Apelit”, ka shtuar Nagavci.
Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për situatën aktuale, duke thënë se është keq që janë rikthyer në pikën zero.
Nagavci theksoi se para se të vendoset nëse VV-ja do ta mbështesë PDK-në për këtë çështje, është e nevojshme të ketë më shumë qartësi rreth ndryshimeve të propozuara.
“Përpara se të shprehim mbështetje për PDK-në, duhet të dimë se çfarë ndryshimesh po kërkon PDK-ja dhe cilat nene specifike janë në diskutim”, përfundoi deputetja.



