Pas më shumë se një dekade ndalim, në Shqipëri do të lejohet gjuetia. Pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj, ligji “Për gjuetinë” është publikuar në Fletoren Zyrtare. Në vend të zgjatjes së moratoriumit që skadoi gushtin e vitit të shkuar, gjuetia do të lejohet në disa zona të caktuara.
“Zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private me anë të një procedure konkurrimi dhe për një afat jo më pak se 10 vjet, kjo për arsyen se sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Subjekti fizik ose juridik do të jetë njëkohësisht dhe menaxhuesi i zonës”, thotë për A2, Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA.
Gjuetarë do të jenë si fillim vetëm shtetasit shqiptarë, ata që kanë mbushur moshën 25 vjeç, që kanë armë me leje dhe që janë të pajisur me leje gjuetie. Sipas relacionit të projektligjit, statusi i zonës së gjuetisë do të hiqet për arsye të sigurisë kombëtare, nevoja të zhvillimit rural, kur ka keqpërdorim dhe kur nuk zbatohet kontrata me qiramarrësin.


