Debat i nxehtë, i shoqëruar me akuza dhe kundërakuza, kështu dukej debati i mbrëmshëm në Click Plus të TV21, ku të ftuar ishin deputetët e posazgjedhur Talat Xhaferi(BDI), Muhamed Zekiri(LSDM), Vesel Memedi(Aleanca për Shqiptarët) dhe anëtari i kryesisë qendrore të Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, shkruan Almakos.
Që në fillim të emisionit, Muhamed Zekiri nga LSDM ka deklaruar se se shqiptarët me votën e tyre për LSDM-në kanë dalë kundër fashizoidit Nikolla Gruevski.
“Shqiptarët kanë bërë historinë duke votuar LSDM-në kështu duke rrëzuar një sistem diktatorial në krye me fashizoidin Nikolla Gruevski”, deklaroi Muhamed Zekiri.
Ai poashtu bëri të ditur se po të ishin këto zgjedhje lokale, sigurisht që LSDM do fitonte së paku 4-5 komuna shqiptare.
“Në Haraçinë, Studeniçan, Dibër dhe në të gjithë ata komuna shqiptare që ka fituar LSDM-ja do të ketë kandidat shqiptarë” u shpreh Zekiri.
Nga ana tjetër Përfaqësuesi i BDI-së Talat Xhaferi ka thënë se shqiptarët edhe njëherë në zgjedhjet vërtetuan verdiktin me 10 mandate si shumicë kundrejt gjithë pretedentëve.
“Edhe pse fitues, BDI përmes konferencës së parë për shtyp treguam se nuk i gëzohemi si subjekt, sepse në këto zgjedhje erdhi si pasojë e ndarjes së trupit votues ku kanë humbur minimum 8 mandate dhe për herë të përë në histori në njësinë 6 dhe tjera 1, 2 dhe 5 ku në masa garojnë shqiptarët, me mashtrimet e llojit kanë arrit që bllokut maqedonas t’i shtojnë disa mandate. BDI e ka vërtetuar se është bartës i vullnetit të shumicës shqiptare kundrejt pretendentëve, ka dyfish mandate prej ‘Besës’, trefish prej ‘Aleancës’ dhe pesëfish prej PDSH-së”, ka thënë deputeti Xhaferi.
Ndërsa deputeti nga radhët e “Aleancës për shqiptarët” Vesel Memedi në formë ironie ka thënë se LSDM është parti serioze ndash në kohën e komunizmit, e ndash në të demokracisë.
“Tani këtë komparacion me shqiptarët që kanë ateruar në LSDM vetëm përmes zhgënjimit prej partive shqiptare, tash të themi se në Kosovë shqiptarët të zhgënjyer prej LDK-së e PDK-së dhe të votojnë për listën serbe? Është jo e natyrshme dhe joserioze kjo. Një individ shqiptar kalon në bllokun politik maqedonas dhe gjithçka do rregullohet për shqiptarët?! Një individ në një parti maqedonase të mund të përfaqësojë shqiptarët në Kuvend është jo e logjikshme”, ka thënë Memedi i Aleancës në emisionin “Click plus” .
Në fund anëtar i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi është shprehur i bindur se Lëvizja BESA pas ankimimeve në KSHZ, do të fitojë edhe ndonjë deputet eventual më shumë, ndonëse sot KSHZ votojë kundër gjitha ankimimeve të Lëvizjes BESA.
“Është procedura e ankimimit që me siguri se numrat e deputetëve do të ndryshojnë. Më vjen mirë që elektorati shqiptarë e ka kuptuar se tani më nuk duhet të votojnë për më pak të keqen, por kanë parë një alternativë të mirë në Lëvizjen BESA, dhe na kanë besuar votën”, deklaroi Kastriot Rexhepi./Almakos