Sot, më 18 mars 2026, në Kuvend është dorëzuar një rezolutë që kërkon zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës. Iniciativa vjen drejtpërdrejt nga studentët e drejtësisë, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtës së tyre ligjore për ta dhënë këtë provim në gjuhën amtare.
Sipas kumtesës së Frontit Europian, megjithëse studentët shqiptarë ndjekin dhe përfundojnë studimet në gjuhën shqipe në universitete të akredituara në vend, atyre u pamundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në shqip. Kjo, sipas tyre, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit.
Rezoluta, e mbështetur nga deputetët shqiptarë të opozitës, u bën thirrje institucioneve kompetente – veçanërisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të siguruar organizimin e provimit edhe në gjuhën shqipe.
Në reagim theksohet se provimi i jurisprudencës është një provim profesional për verifikimin e njohurive juridike dhe nuk duhet të shndërrohet në mekanizëm diskriminues mbi baza gjuhësore.
Fronti Europian paralajmëron se moszbatimi i plotë i ligjit krijon pabarazi dhe diskriminim, duke kufizuar qasjen e barabartë në profesionin juridik për një kategori të tërë studentësh. Një praktikë e tillë, sipas tyre, është e papranueshme për një shtet që synon sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore.
Përmes kësaj rezolute kërkohet përgjegjësi institucionale dhe veprim konkret për të garantuar trajtim të barabartë dhe respektim të plotë të të drejtave gjuhësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Iniciativa konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të barazisë dhe drejtësisë në vend.






