Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, është shprehur i bindur në fitoren e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 2 nëntor. Përmes një postimi në Facebook, Rexhepi ka theksuar se do të vazhdojë fushatën afër qytetarëve, duke vizituar çdo lagje dhe vendbanim të Tetovës.
Ai ka theksuar vendosmërinë për të mos lejuar “pazare të inxhinjeringut elektoral”, duke u zotuar për një proces të pastër dhe demokratik.
“Në rrethin e dytë zgjedhor do të jemi bashkë me qytetarët në çdo lagje e vendbanim për ta rikthyer Tetovën më 2 nëntor”, ka shkruar Rexhepi.
Në postimin e tij, ai njoftoi për një mobilizim të gjerë të strukturave të AKI-së dhe të aktivistëve të saj, duke e cilësuar këtë si fushatën më të madhe të ndërmarrë ndonjëherë nga partia.
“Kemi nisur mobilizimin më të madh ndonjëherë të strukturave partiake dhe aktivistëve të Besëlidhjes: Aleanca Kombëtare për Integrim. Këtë herë fillojmë më të bashkuar, më të vendosur dhe më unikë se kurrë! Nuk do të lejojmë që Tetova të bëhet pjesë e pazareve të inxhinieringut elektoral!”, ka shtuar ai.