Në zyrat e kompanisë Ecolog në Tetovë, u zhvillua një takim miqësor me ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Rexhep Meidani, i shoqëruar nga i biri, Denion Meidani, Ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit të bërë nga drejtues të kompanisë pritëse, takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, ku u rikujtuan edhe takime të mëhershme mes palëve. Në fokus të bisedës ishte roli dhe kontributi i Prof. Dr. Rexhep Meidanit në gjithë hapësirën shqiptare, si në zhvillimet demokratike dhe udhëheqjen institucionale të Shqipërisë, ashtu edhe në fushën akademike.
Në këtë kontekst, u theksua veçanërisht kontributi i tij si profesor në mbështetjen e ngritjes dhe zhvillimit të Universitetit të Tetovës, si dhe roli i tij më herët në ngritjen e Universitetit të Prishtinës — si pjesë e angazhimit të tij afatgjatë për arsimin dhe avancimin e dijes në rajon.
Gjatë vizitës në selinë e Ecolog në Tetovë, drejtuesi i kompanisë, Lazin Destani, e shoqëroi Prof. Dr. Meidanin në një hapësirë të veçantë brenda objektit ku, është vendosur në ekspozim “G8 Table” — tavolina ku, në vitin 1999, përfaqësues të vendeve të G8 u mblodhën në Gjermani për të diskutuar zhvillimet e luftës në Kosovë dhe propozime që lidhen me ndërhyrjen ndërkombëtare. Ky takim historik u mbajt në Këln më 7 dhe 8 qershor 1999, të cilat u cilësuan si ditë vendimtare, në kohën kur NATO kërkonte zgjidhje për t’i dhënë fund krizës së shkaktuar nga veprimet e regjimit serb dhe krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Atë ditë më pas, me rastin e 31-vjetorit të Universitetit të Tetovës, u mbajt ceremonia solemne për shënimin e përvjetorit, ku një nga momentet qendrore ishte akordimi i titullit “Doctor Honoris Causa” për ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Rexhep Meidani. Në njoftim, ky vlerësim cilësohet si i merituar dhe si një frymëzim për studentët dhe rininë, në rrugën e dijes dhe përparimit por dhe çështjes kombëtare.
Pjesëmarrja në ceremoni u shoqërua edhe me takime me përfaqësues të shumtë nga sfera akademike, politike e diplomatike, si dhe nga fusha e ekonomisë, duke e kthyer këtë ngjarje në një rast të rëndësishëm komunikimi dhe ndërveprimi mes institucioneve dhe personaliteteve të ndryshme.
Vizita e Prof. Dr. Rexhep Meidanit në Tetovë dhe nderimi i tij nga Universiteti i Tetovës vijnë si një rikujtesë e rolit të figurave akademike e institucionale në forcimin e lidhjeve arsimore, kulturore dhe shoqërore në hapësirën shqiptare, si dhe në ruajtjen e kujtesës historike për momentet vendimtare të rajonit.






