Kanë ngelur katër ditë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Televizioni SHENJA ju rikujton se sa janë angazhuar partitë të cilat kanë qenë në pushtet deri më tani, pra koalicioni VMRO-BDI. Bëhet fjalë për investimet të cilat janë bërë gjatë periudhës sa ata kanë qenë në pushtet, duke u fokusuar në ndarjen e buxhetit për ndërtim të kanalizimeve. Se sa është investuar në këtë drejtim në vendet e banuara me shqiptarë, tregojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet që e tronditën rrethinën e Shkupit në natën e 6 gushtit. Hasanbegu, Haraçina, Straçinca dhe Stajkovca ishin vendet më të prekura nga këto vërshime, gjë që sipas ekspertëve, zmadhimi i përmasave të kësaj katastrofe natyrore ka ndodhur pikërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës së kanalizimit. Televizioni SHENJA, për një gjë të tillë alarmoi që në muajin mars të këtij viti, ku banorët e Hasanbegut, patën thënë se me këto situate përballen vite me radhë dhe patën kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin masa për ta zgjidhur këtë problem. Por, zëri i këtyre banorëve hasi në vend të shurdhër, asnjëherë nuk u morën masa për zgjidhjen e këtij problemi.
“Qe 6 vjet na e kanë vendosur ujin këtu, edhe kemi probleme rregullisht, uji na vjen na hyn brenda, ka probleme. Rrugën na e prishin, vijnë prishin diçka, kishe po ndreqin diçka, mashtrime, gjithnjë kemi problem me ujin”, pati thënë një banor i Hasanbegut.
Vetëm pak muaj më pas, pra më 6 gusht, kjo rrethinë u shkatërrua plotësisht. Këto vërshime morën jetët e 22 personave, zhdukën Elifen gjashtëmbëdhjetëmuajshe, e cila edhe sot nuk është gjetur akoma dhe shkatërruan gjithçka që gjetën përpara. Në këtë periudhë, si mysafir në lajmet e Televizionit SHENJA ishte ish kryetari i Komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami, i cili njëkohësisht është edhe njohës i mirëi infrastrukturës edhe në Hasanbeg, i cili pati thënë se në kanalizimin e këtyre vendbanimeve nuk është investuar në 50 vitet e fundit.
“Kanalizimet, edhe ato që janë të vjetra 50 vite, nuk mund ti durojnë. Pasi tani popullata dita ditës vetëm se shtohen, edhe në Hasanbeg, edhe në Haraçinë. Kanalizimet duhet të rregullohen”, tha ish kryetari i Haraçinës, Bastri Bajrami.
Banorët e vendeve të prekura nga vërshimet, gjatë gjithë periudhës që përballeshin me fatkeqësinë që i pati goditur, drejtonin gishtin drejt partisë shqiptare në pushtet.
“Nëse qeveria do ta kishte pastruar kanalin rregullisht, nuk ishte bërë e gjithë kjo. Me pastru çdo vit kanalin edhe po të ketë reshje nuk do të ndodhnin këto vërshime të mëdha. Dhjetë ditë para votimeve vijnë, do ta bëjmë atë, do ta bëjmë këtë, posa të kalojnë votimët ata më nuk mund ti shohësh. Nuk e di cilës parti ti besojmë VMRO-së apo BDI-së. Më mirë VMRO-s me i besu se BDI. Shumë ma shumë kisha pas besim te VMRO se sa tek BDI”, pati thënë një banor tjetër.
“E apeloj Ali Ahmetin, të luajë me popullin, edhe ato biznismenët që i kemi në parlament, krejt qeveria që luan me popull”, theksoi një banor tjetër.
Shumica e këtyre banorëve pas dëmeve që u janë shkaktuar nga këto vërshime, nuk kanë marrë shumën e nevojshme kompensim të dëmeve të shkaktuara. Në një kronikë të Televizionit SHENJA, edhe atë disa muaj pas vërshimeve, konkretisht në muajin nëntor, banorët ankohen se dëmshpërblimet e Qeverisë për përmbytjet në Hasanbeg, Stajkovcë dhe pjesën tjetër të përfshirë, janë shpërndarë në baza partiake të të afërmve të funksionarëve në pushtet. Madje ka disa prej tyre që nuk kanë marrë as edhe një denarë nga shteti.
“Dëmshpërblime s’kemi marrë hiç pare që na ka çuar shteti. Tjerët kanë marrë ne s’kemi marrë hiq. Burri jem u mbyt t’u ecë poshtë e përpjetë, shko në atë bankë, shko në atë bankë s’ka. Kështu kena mbet”, pati thënë një banore e Hasanbegut.
Derisa në Hasanbeg dhe fshatrat e rrethinës të banuar me shumicë shqiptare me dekada nuk investohet për infrastrukturë elementare siç është kanalizimi, pushteti vazhdon të shpenzojë buxhetin për në projekte megalomane joproduktive. Riparimi i gjithë rrjetit të kanalizimit në Hasanbeg dhe rrethinë do të kushtonte më pak se sa kafazi qindra mijëra eurosh i majmunit në kopsht zoologjik, dhjetëra skulpturat e shtrenjta, parqet 15 milionëshe në Aerodrom, apo rrota panoramike 18 milionëshe në Shkup dhe projektet e ngjashme. Nëse 1 kilometër rrjet kanalizimi kushton 40 mijë euro, duke u bazuar në koston e projekteve të kanalizimit të publikuara nga institucionet, ja sa kilometra kanalizim do të realizoheshin në vend të projekteve joproduktive multimilionëshe:
18.000.000€ Rrota panoramike = 450 km
15.000.000€ Parku Aerodrom = 375 km
12.500.000 € – Fasada në Qendër të Qytetit = 310 km
6.000.000 € – Porta Maqedonia = 150 km
5.700.000 € – Fasada e Ministrisë së Transportit = 140 km
230.000 € – Kafazi i majmunit = 6 km
Vetëm me paratë e këtyre projekteve, që janë një përqindje e vogël e ndërtimeve të ngjashme në Shkup viteve të fundit, do të ndërtoheshin mijëra kilometra kanalizim, shumë më shumë se sa është e nevojshme për zgjidhjen e problemit të banorëve të Hasanbegut dhe rrethinës.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
RETRO: Neglizhenca e pushtetarëve stimuloi… by tvshenjaofficial