Paratë që emigrantët sjellin tek familjet e tyre në Shqipëria po vijojnë të kenë një tendencë rritjeje, duke reflektuar ciklin e ri të emigracionit në vend.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët ishin 817 milionë euro në janar-shtator 2025, me një rritje prej 5.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ritmet e rritjes u përshpejtuan në tremujorin e tretë, që tradicionalisht ka flukse më të larta hyrjeve për shkak se emigrantët vijnë në Shqipëri gjatë pushimeve të verës. Për korrik-shtator 2025, emigrantët sollën tek të afërmit në vendlindje 285 milionë euro, ose 8.8% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Që nga viti 2013, paratë që emigrantët sjellin në Shqipëri janë rritur vazhdimisht (shiko grafikun), duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, që nisi kryesisht pas vitit 2015.
е
Pas një rënieje në vitin 2020, si efekt i pandemisë, tendenca rritëse u përshpejtua dukshëm. Në 9 muajt e parë të 2024-s, për herë të parë u tejkalua kufiri prej 800 milionë eurosh. Me këto ritme viti mund të mbyllet me nivele rekord prej mbi 1 miliardë euro. (në tremujorin e fundit 2024 prurjet ishin 273 milionë euro).
Emigrantët e rinj duket se nuk ikin pa e kthyer kokën pas, duke u kujdesur për të afërmit që lënë në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm në 2022-2023 u dhanë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë një potencial për të dërguar para tek të afërmit që kanë lënë në Shqipëri.
Aktorët e tregut pohojnë se kanalet kryesore vijojnë të mbeten vendet tradicionale ku ka emigracione, si Greqia e Italia, por vitet e fundit ka pasur rritje dhe nga destinacionet e reja si Anglia dhe Gjermania.
Remitancat llogariten nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korrente në bilancin e pagesave, sipas standardeve të FMN-së (BPM6).
Ato përfshijnë të gjitha prurjet monetare që emigrantët dërgojnë drejt familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes kanaleve formale (bankat, institucionet financiare dhe operatorët e transfertave), ashtu edhe përmes vlerësimeve të prurjeve informale.
Për këtë qëllim, Banka përdor të dhënat e sistemit bankar, raportimet periodike të subjekteve të licencuara dhe anketa specifike tek familjet përfituese, duke synuar të kapë tërësinë e flukseve reale të remitancave në ekonomi.


