Një pronar lokali ka raportuar se disa persona kanë tentuar t’i marrin para përmes metodës së njohur të reketit në Maqedoni. Ata i kanë ofruar “mbrojtje” për lokalin e tij, por pasi ai i ka refuzuar, është sulmuar fizikisht. Pas dhunës, ai ka pranuar marrëveshjen, por më pas e ka raportuar rastin në polici.
“Më 26.03.2025, në ora 20:40 në Prilep, zyrtarët policorë të DPB Prilep kanë arrestuar R.R. (53) nga Prilepi, nën dyshimin për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 258 të Kodit Penal. Më herët, po atë ditë në orën 08:00, një pronar 54-vjeçar i një lokali në Prilep ka raportuar në polici se është dhunuar fizikisht dhe kërcënuar nga S.R. dhe A.T., të dy nga Prilepi, të cilët i kanë detyrojnë me forcë për ti marrë para që më pas i ka marrë R.R., babai i S.R.
Më 20.03.2025, S.R. dhe A.T. kanë shkuar në lokalin e tij, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë kërkuar 400 euro në muaj për ta ‘mbrojtur’ lokalin. Në fillim ai i ka refuzuar, por ata janë kthyer disa herë duke e kërcënuar dhe duke i kërkuar para. S.R. i kishte thënë se paratë do t’i merrte babai i tij, R.R. Më 24.03.2025, pronari i lokalit u pajtua që më 26.03.2025 t’i dorëzonte paratë R.R.-së, dhe sapo ai i mori paratë, u arrestua dhe u dërgua në stacionin policor.
Më pas, me urdhër të gjykatës, policia e DPB Prilep kreu bastisje në shtëpitë e tre të dyshuarve, duke sekuestruar sende që mund të jenë prova për veprat penale. Gjykata vendosi masë paraburgimi prej 30 ditësh për R.R., i cili u transferua në një institucion penal për të vuajtur masën. Po ashtu, ndaj S.R. dhe A.T. u caktua paraburgim 30-ditor në mungesë,” njofton Ministria e Punëve të Brendshme.