Një 43 vjeçar nga Velesi është rasti i katërt i konfirmuar me llojin “Delta” të virusit korona, njoftoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipce. Pacienti është i hospitalizuar në repartin infektiv të Spitalit të Velesit dhe është në gjendje stabile. Nga ky spital njoftojnë se pacienti është i shtruar para shtatë ditësh.
– Advertisements –
Pacienti është kthyer nga Anglia para dy javësh, ndërkaq është hospitalizuar shtatë ditë më parë në spitalin tonë. Pacienti është me pasqyrë më të lehtë klinike dhe nuk është nën ndihmën e oksigjenit – njoftojnë nga Spitali I Velesit.
Edhe katër raste të tjera dyshohen se janë të prekur me llojin “Delta”. Autoritetet shëndetësore thanë se rezultatet e tyre pritet të dalin deri në fund të ditës duke shtuar se asnjëri nga rastet nuk është i vaksinuar.
Ata trajtohen këtu në Shkup, vetëm njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë në aparate të frymëmarrjes, tjerët janë në gjendje të qëndrueshme – deklaroi Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.
Filipçe tha se në rast se katër rastet e dyshuara rezultojnë pozitive, do të diskutohet për vendosjen e mundshme të masave për parandalimin e përhapjes së llojit delta të virusit. Ai shtoi se situata epidemiologjike është e qëndrueshme.
Pavarësisht se po regjistrohen raste të reja, nuk kemi presion nëpër spitale, nuk ka as kontrolle madje. Në Spitalin e Manastirit sot është lëshuar pacienti i fundit, ndërsa në Ohër ka mbetur vetëm një pacient -tha Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.
Rasti i ri me llojin Delta u regjistrua vetëm një ditë pasi Komisioni për sëmundje ngjitëse në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë vendosi të mos rekomandojë masa të reja shtrënguese. Deri më tani mutacioni “delta” i virusit është prezent në më shumë se 100 vende të botës.
Vjollca Aliti



